Elkann: U befasova nga ikja e Contes

Sporti

Elkann: U befasova nga ikja e Contes

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 18:48

Lamtumira e papritur e Antonio Contes i befasoi të gjithë dhe këtu nuk bën përjashtim as John Elkann, presidenti i grupit Fiat-Chrysler, familja e të cilit zotëron edhe klubin e Juventusit, ndër shumë marka të tjera me famë globale.

“Ishte një surprizë e vërtetë, por siç tha vetë Conte, kur mungon motivimi është e vështirë të ecësh përpara. Kemi kaluar një periudhë shumë të mirë për Juven, por ky klub është më i fortë dhe se çdo individ. Përpara tani na pret një e ardhme e ndritur”.

Pas Contes, mes kontestimeve të tifozëve është ulur Allegri në stolin e bardhezinjve. Mesazhi i padronit të Juves edhe për teknikun e ri është shumë i qartë.

“Allegri ka tashmë shumë përgjegjësi mbi vete, ashtu si çdo trajner i Juventusit. Këtë përgjegjësi do ta ndjejë njëlloj si kushdo që punon për këtë shoqëri sepse përpara kemi gjëra të rëndësishme dhe një të ardhme të madhe”.

Me një përgjigje diplomatike, Elkann për fatin e Vidal tha se merkatoja është e hapur dhe për këtë çështje është angazhuar dikush që e bën shumë mirë punën. Ndërkohë te Zonja e Vjetër ka dalë në dritë një prapaskenë, teksa po punohej për zgjedhjen e trajnerit të ri. Beppe Marotta përmes një telefonate i kërkoi mendim argjentinasit Carlos Tevez për ardhjen e mundshme të Roberto Mancinit, por përgjigja që mori nuk ishte gjë tjetër veçse një ultimatum i prerë: Mirë, po bëj gati bagazhet për të ndërruar menjëherë skuadër. Eshtë e ditur se mes Carlitos dhe teknikut italian nuk ekzistonte ndonjë dashuri e madhe, gjatë kohës kur të dy ishin te Manchester City. Të shtrënguar nga këto fërkime, drejtuesit e Juves më pas ndryshuan kurs në zgjedhjen e teknikut, duke përfunduar siç e dimë tashmë te Allegri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat