Guardiola: Nëse nuk fitoj, Bayerni më dëbon

Sporti

Guardiola: Nëse nuk fitoj, Bayerni më dëbon

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 23:28

Guardiola bëri me dije se u ka kërkuar lojtarëve të sforcohen për tu përshtatur sa më mirë me idetë që ai ka për futbollin..

Pep Guardiola e mbylli me dy trofe të fituar, titullin kampion në Bundesliga dhe Kupën e Gjermanisë sezonin e tij të parë në drejtim të Bayernit. Megjithatë trajneri spanjoll në prag të sezonit të ri është i bindur kur shprehet se vetëm sukseset e njëpasnjëshme, mund ta mbajnë atë në krye të stolit të bavarezëve.

“ Nuk ka asnjë sekret. Nëse nuk fitoj, me siguri vitin tjetër drejtimin e Bayernit do ta marrë një teknik i ri. Në sezonin tim të parë këtu, ne fituam Bundesligën 7 javë përpara fundit, dhe mbi të gjitha e mbyllëm kampionatin në një kuotë pikësh që asnjë skuadër nuk e kishte arritur më parë. Triumfuam gjithashtu edhe në Kupën e Gjermanisë, me pak fjalë ishte një sezon i shumë i mirë për ne. Megjithatë nëse nuk fiton edhe në Champions League asnjëherë nuk e ke vendin të sigurtë në një klub të madh si Bayerni”.

Në vijim Guardiola bëri me dije se u ka kërkuar lojtarëve të sforcohen për tu përshtatur sa më mirë me idetë që ai ka për futbollin pasi vetëm në këtë mënyrë Bayerni mund të fitojë sërish.

“ Unë kam ardhur këtu për ta bërë punën time në mënyrën më të mirë, ashtu sic bëra edhe te Barcelona. Kam ardhur në një vend të ndryshëm nga ai që unë u linda dhe u rrita, dhe ku futbolli përjetohet në një mënyrë totalisht të ndryshme. Unë po përpiqem të adaptohem sa më shumë me Gjermaninë por ndërkohë kërkoj që edhe futbollistët ti kuptojnë idetë që unë kam për lojën e futbollit. Megjithatë ky është një proces që nuk arrihet në vetëm një vit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat