Rousseff: Brazili e fitoi Botërorin jashtë fushës

Sporti

Rousseff: Brazili e fitoi Botërorin jashtë fushës

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 19:14

Pavarësisht kritikave rreth përgatitjeve të qeverisë për organizimin e turneut, mbështetja ndaj Rousseff pësoi një ngjitje të lehtë.

Eliminimi poshtërues i Brazilit në Kupën e Botës nuk do të ketë asnjë impakt në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në muajin Tetor. Kështu u shpreh Presidentia e vendit, Dilma Rousseff, e cila po përgatitet për fushatën zgjedhore për një mandat të dytë. Pavarësisht kritikave rreth përgatitjeve të qeverisë për organizimin e turneut, mbështetja ndaj Rousseff pësoi një ngjitje të lehtë, pasi brazilianët u afeksionuan më shumë me Kupën e Botës.

Humbja e papritur ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale i preku shumë të gjithë brazilianët, por gruaja më e pushtetshme e vendit beson se disfata e Brazilit nuk ndikon në mbështetjen e saj në popull. Sipas Rousseff, brazilianët e kanë traditë për të mos e ngatërruar politikën me futbollin. Ajo shtoi se më e rëndë se humbja 7-1 do të kishte qenë dështimi jashtë fushës së blertë, pra në organizimin e Botërorit. Edhe pse pati vonesa në përfundimin e punimeve nëpër stadium, “Brazil 2014” është vlerësuar maksimalisht për atmosferën që përcolli por edhe për logjistikën e moderne.

Për presidenten e Brazilit, vendi karioka hodhi poshtë të gjitha paragjykimet që lindën në prag të Botërorit. Sondazhet tregojnë se Rousseff vazhdon të jetë favorite për zgjedhjet e 5 Tetorit, edhe pse rivalët e saj e kanë ngushtuar disi diferencën muajt e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat