Java e 30-të vendimtare për fatet e sezonit

Sporti

Java e 30-të vendimtare për fatet e sezonit

Më: 25 prill 2014 Në ora: 09:27

Me katër javë të mbetura deri në përfundim çdo ndeshje në Superiore merr vlerë përsa i përket realizimit të objektivave të vendosura nga ana e skuadrave. Java e 30-të e Superiores, do të vendosë përballë skuadra me objektiva të afërt, të cilat përballë njëra-tjetrës do të kenë mundësi të fitojnë akoma më shumë terren për synimet e tyre. Sigurisht që kryefjala është për derbin e Shqipërisë mes Tironës dhe Vllaznisë, dy skuadrat më të vjetra në vend. Në “Qemal Stafa” qëllimi për të dyja formacionet është i qartë marrja e pikëve për mbijetesën. Të dyja ekipet vijnë pas një serie fitoresh, me bardheblutë që regjistrojnë katër suksese radhazi ndërsa shkodranët pesë. Statistikat e viteve të fundit flasin dukshëm në favor të kuqebluve, të cilët kanë fituar 3 nga gjashtë përballjet e fundit në kryeqytet, ndërsa kanë barazuar një dhe humbur një.

Dhe meqënëse jemi te mbijetesa, Besa luan një prej shanseve të fundit këtë fundjavë për të qëndruar në Superiore. E penalizuar jo pak nga vendimet e xhaketave të zeza në sfidat e fundit, kavajasit do të ndeshen me Lushnjen, që e ka prerë tashmë biletën për një kategori më poshtë. Në zonat e larta të renditjes, Skënderbeu mund të shpallet zyrtarisht kampion nëse fiton në transfertën e vështirë me Teutën dhe Kukësi nuk arrin të mundë dot Laçin në shtëpi. Përjashto korçarët, që duket se e kanë fituar tashmë trofeun e katërt radhazi të kampionit, të treja ekipet e tjera janë në garë për Europën. Partizani, i cili ka qënë në heshtje gjatë gjithë këtyre ditëve do të presë në shtëpi Kastriotin. Për të kuqtë, fitorja do të thotë Europë ndërsa për Kastriotin humbja e zbret matematikisht një kategori më poshtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat