Shkëndija fiton 3-1 ndaj Makedonias

Sporti

Shkëndija fiton 3-1 ndaj Makedonias

Më: 19 prill 2014 Në ora: 23:31

Shkëndija e Tetovës nuk di të ndalet. Që pas atij barazimi pa gola në derbin e qytetit kundër Renovës, skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro siguron fitoren e 5 në 6 ndeshjet e fundit duke ecur me ritëm kampioni. Në ndeshjen e javës së 28-të të kampionatit maqedonas, kuqezinjtë triumfuan edhe në transfertën e Makedonias me rezultatin 3-1 me protagonist brazilianin Junior. Ishte pikërisht ky lojtar që zhbllokoi sfidën në minutën e 40-të, ndërsa kroati Vrucina dyfishoi në pjesën e dytë.

Golin e tretë e shënoi sërish Junior, ndërsa skuadra vendase shkurtoi diferencën në minutën e tretë shtesë me Mecinovic. Ky sukses e ngjit Shkëndijën në vendin e gjashtë të klasifikimit me 42 pikë, plot 10 pikë larg zonës së ftohtë, ndërsa javën tjetër ekipi nga Tetova ka një sfidë të lehtë në letër pasi pret në shtëpi Napredok Kicevo që mban vendin e parafundit me biletën për në kategorinë e dytë të siguruar. Ndërkohë, skuadra tjetër shqiptare e Tetovës, Renova u shkatërrua me rezultatin 6-2 nga Rabotnicki i Shkupit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat