Nadal fillon sulmin për "kurorën" e Monte-Carlos

Sporti

Nadal fillon sulmin për "kurorën" e Monte-Carlos

Më: 16 prill 2014 Në ora: 23:01

Rafael Nadal fillon sulmin drejt kurorës së nëntë në Monte – Carlo pas një fitore relativisht të lehtë ndaj rusit Teymuraz Gabashvili. Numri 1 i botës i cili deri më tani në Principatë numëron vetëm dy humbje gjithsej në karrierë e mori fillimisht lehtë kundërshtarin e tij dhe në mënyrë surprizë kjo i kushtoi humbjen e shërbimeve të tij. Mbreti i fushave me dhe për pak sa nuk i përkeqësoi akoma më shumë gjërat teksa në gamen e pestë u përball ne një tjetër break point. Me Rafën dihet një ndeshje mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë dhe ai moment aty i ndryshoi përfundimisht gjërat. Nga break point në dispozicion për të thyer spanjollin për herë të dytë në servis situata u përmbys plotësisht dhe numri 58 i botës fitoi vetëm 2 nga 13 gamet e mbetur të sfidës, duke humbur krejt takimin me rezultatin 6-4, 6-1. Për të siguruar suksesin e 49 në Principatë kampioni spanjoll pati nevojë për 73’, sidoqoftë nuk pati të njëjtin fat kundërshtari i tij i radhës, italiani Andreas Seppi i cili vuajti 2h 48’ për të mposhtur spanjollin tjetër Pablo Andujar.

Roger Federer i cili ende nuk e ka një titull në Monte-Carlo pavarësisht se është përballur tre herë në finale ndaj Nadal, këtë herë në “Court Central” mundi për 51’ veteranin çek Radek Stepanek. Tenisti zviceran humbi vetëm tre game gjithsej dhe në turin e tretë do të masë forcat me çekun tjetër Lukas Rosol që eliminoi me dy sete identikë 6-4 francezin Michael Llodra. Almagro triumfoi në dy sete ndaj francezit tjetër Nicolas Mahut, dhe po në dy sete por në një ndeshje tepër të rivalizuar italiani Fabio Fognini mposhti 7-6, 6-4 iberikun Roberto Bautista-Agut. Pasi humbi setin e parë 6-4 Tommy Robredo lëshoi vetëm një game për të triumfuar 2-1 me sete ndaj Julien Benneteau, e pak a shumë po në të njëjtën mënyrë edhe numri 10 i botës Milos Raonic kaloi tenistin nga Tajvani Yen Hsun – Lu. U eliminua në mënyrë të befasishme Alexander Dolgopolov në vetëm dy sete nga Guillermo Garcia – Lopez, ndërsa numri 62 i botës 22-vjeçari nga Barcelona Pablo Carreno Busta nxorri jashtë turneut francezin Gael Monfils 6-3, 7-6. Vuajti ndjeshëm Grigor Dimitrov që përmbysi disavantazhin e setit hapës për të mundur spanjollin Albert Ramos, ndërkaq Stanislas Waërinka qëndroi në fushë vetëm 46’ duke humbur 2 game gjithsej ndaj kroatit Marin Cilic dhe në turin e ardhshëm numri 3 i botës do të ndeshet me një tjetër spanjoll, 28-vjeçarin nga Murcia Nicolas Almagro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat