Garcia karikon: Të dielën -5 pikë nga Juve

Sporti

Garcia karikon: Të dielën -5 pikë nga Juve

Më: 5 prill 2014 Në ora: 15:09

Në prag të transfertës delikate me Cagliarin, Rudi Garcia vazhdon të karikojë skuadrën, duke thënë se Roma kërkon me çdo kusht kualifikimin direkt në edicionin e ardhshëm të Champions League. Brenda një harku kohor mjaft të shkurtër, diferenca mes verdhekuqve dhe Juventusit kryesues është ngushtuar ndjeshëm e mund të shkojë deri në 5 pikë, nëse skuadra romane triumfon ndaj Cagliarit e më pas nëse bardhezinjtë dështojnë me Livornon, rezultate hipotetike që do ta bënin edhe më të hapur garën për titullin.

“Roma nuk fiton prej kohësh në fushën e Cagliarit, por statistikat janë bërë që të ndryshojnë. Duhet të bëjmë çmos që distanca me Juventusin, të paktën për momentin të shkojë në 5 pikë. Jemi prapa dhe kemi më pak shanse që të gabojmë, por gjithmonë duhet të kërkojmë vetëm fitoren, ndërsa bardhezinjtë janë përpara dhe mund të konsiderohen favoritë. Ata kanë një skuadër të denjë për të trimfuar në Champions, por në pamundësi do të tentojnë ta bëjnë këtë në Europa League”.

Garcia nuk shpërqëndrohet nga ngjarjet që mund të ndodhin në të ardhmen, megjithatë e ka të qartë se çfarë kërkon në të tashmen.

“Tani mendoj vetëm për aventurën me Romën, dua të eci përpara me këtë skuadër dhe synimi ynë është t’i bëjmë tifozët të lumtur. Me Cagliarin nuk do të jetë e lehtë, prandaj duhet të jemi të përqëndruar mirë te ky takim. E kemi objektiv kryesor të rikthehemi në Champions pa kaluar në fazën eliminatore dhe më pas të shkojmë sa më larg”.

Në përfundim të kampionatit, deklaroi më tej tekniku francez, do të bëhet një analizë e detajuar e sezonit të Romës për të bërë në të njëjtën kohë lëvizjet në merkato për përforcimin e skuadrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat