Incidentet në Bularat, reagon Bushati: Të urtësojmë situatën

Shqipëria

Incidentet në Bularat, reagon Bushati: Të urtësojmë situatën

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 10:41
Ditmir Bushati

Pas thirrjeve nacionaliste dje në Bularat, gjatë ceremonisë mortore të Kostandonos Kacifas, vjen reagimi i parë i ministrit Bushati.

Përmes një statusi në Twitter, ai ka dhënë një mesazh jo vetëm për politikanët në Greqi, por edhe për ata zëra shqiptarë që kërkuan një reagim më të ashpër nga strukturat e shtetit shqiptar.

Duke cituar një shprehje të famshme të ish-kryeministrit britanik Benjamin Disraeli, Bushati shpjegon dhe qëndrimin e autoriteteve shqiptare ndaj zhvillimeve të ditëve të djeshme në Bularat.

“Situatat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”, reagon Bushati.

Gjatë ditës së djeshme në Bularat u zhvillua ceremonia e varrimit të Konstandinos Kacifas.

Autoritetet shqiptare morën vlerësime për menaxhimin e situatës ndonëse pati provokime dhe thirrje të shumta antishqiptare.

Ndërkohë kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Aleksis Cipras e kanë dënuar këtë sjellje duke kërkuar qetësi, si dhe kanë theksuar se kjo situatë nuk prek marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

Rreth dy javë më parë në Bularat, humbi jetën Konstandinos Kacifas si rezultat i konfrontimit me policinë. Ngjarja u pasua me thirrje raciste nacionaliste dhe antishqiptare nga segmente të caktuara. Për këtë çështje MEPJ ka thirrur dy herë ambasadoren e Greqisë në Tiranë Eleni Surani, të cilës i ka kërkuar sqarime në lidhje me reagimet pas ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat