Pas vettingut, jo avokatë/ Amendamenti kalon të hënën për votim në Kuvend

Shqipëria

Pas vettingut, jo avokatë/ Amendamenti kalon të hënën për votim në Kuvend

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 15:24
Ky amendament që i shtohet nenit 13 të projektligjit, përcakton që nuk mund të ushtrojnë funksionin e avokatit, ato persona që janë shkarkuar nga funksioni publik për arsye të integritetit etik me vendim të organit kompetent

Mazhoranca socialistë ngulmon në nismën e saj për të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kalojnë vetingut, duke mos i lejuar që të punojnë as si avokatë.

Pasi dështoi me propozimin që gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kalojnë vetingun të mos lejohen të punojnë si avokatë, socialistët duke shmangur diskutimin në komisionin e ligjeve kanë shtuar një amendament direkt për t’u votuar në projektligjin për profesionin e avokatit, votim i cili pritet të bëhet ditën e hënë në Parlament.

Ky amendament që i shtohet nenit 13 të projektligjit, përcakton që nuk mund të ushtrojnë funksionin e avokatit, ato persona që janë shkarkuar nga funksioni publik për arsye të integritetit etik me vendim të organit kompetent. Por edhe ky amendament si për ironi të fatit bie në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 1993, që është marrë me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Në atë kohë socialistët ankimonin ligjin për profesionin e Avokatit, i cili përjashtonte nga ky profesion juristët që kishin punuar gjatë kohës së monizmit. Por Gjykata Kushteteuse që në vitin 1993 është shprehur se avokati është një profesion i lirë dhe heqja e së drejtës së profesionit bëhet me vendim gjykate të formës së prerë dhe jo përgjithmonë, por me një afat maksimal deri në 5 vjet.

Por pavarësisht këtij vendimi, nëse socialistët e votojnë amendamentin e shtuar për të penguar të shkarkuarit nga sistemi i drejtësisë të punojnë si avokatë, ky ligj nuk ka se ku të ankimohet. Pasi Gjykata Kushtetuese aktualisht ka vetëm dy anëtarë, dhe madje një prej tyre, vetë kryetari Bashkim Dedja ndonëse u konfirmua nga vetingu, është ankimuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë të cilët i kanë kërkuar komisionerit publik që të ankimojë vendimin e KPK, për konfirmimin në detyrë të Bashkim Dedjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat