‘I kthejmë të gjithë shqiptarët’, Vasili: Kryeministri rrodhi, do rregulla speciale

Shqipëria

‘I kthejmë të gjithë shqiptarët’, Vasili: Kryeministri rrodhi, do rregulla speciale

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 20:48
Petrit Vasili

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me deklaratat e tij se ‘po qe nevoja i kthejmë të gjithë shqiptarët ilegalë veç të hapen negociatat’.

Sipas Vasilit, Rama është një pazarxhi që mendon se mund të bëjë pazar me BE-në, siç bën me rilindësit e tij që i urdhëron të shkelin rregullat.

Reagimi i Petrit Vasilit:

Skandal, Kryeministri rrodhi, do rregulla speciale të BE për të.

Kryeministri sa herë flet ka vetëm një merite se zbulon një padituri e profanizëm që vetëm thellohet dhe bëhet greminë.

Kërkon tani që vendimi i Komisionit të BE-s për të filluar bisedimet me Shqipërinë të jetë detyrues për të gjithë vendet.

Po ky i fandaksur do ti verë rregulla të reja Europës, që të pranojë Shqipërinë ndryshe nga të gjithë të tjerët. Duhet të bëjë përjashtim Europa meqë në krye të qeverisë së Shqipërisë qenka ky i tepsisë që Europa mezi e ka pritur.

Ky shkollëpaku e di Europën si rilindasit që u jep urdhër ky dhe shkelin kushtetute e ligje e ç'tu dalë përpara.

A është në vete ky? A ka njeri që i flet këtij? A i shpjegon njeri çfarë është Europa dhe çfarëe është ky?

Ky pazarxhi rruge i ofron edhe pazar Europës dhe medemek është gati të kthejë gjithë shqiptarët, që banojnë ilegalisht nëpër Europë qe t'i torturojë në këtë Shqipërinë që shkretoi ky.

Integrimi europian nuk është pazar, por përmbushje standardesh të demokracisë, qeverisjes, të zbatimit të ligjit, të luftës ndaj krimit dhe trafiqeve, të zhvillimit ekonomik dhe të të drejtave të njeriut.

Ky kërkon që të blejë parimet me pazare ordinere, ndaj edhe Shqipëria pengohet në integrimin europian, demonizohet dhe dënohet.

Ky kryeministër është fatkeqësia dhe shkaku i vetëm i vuajtjes politike dhe varfërisë me të cilën përballet ky vend, duke i vrarë të sotmen dhe të ardhmen.

Lexojeni vete ç'ka thënë:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për portalin austriak ‘Profil.at’.

Gazetari: Disa shtete si Franca, Hollanda dhe Danimarka kanë ende rezerva për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Rama: Është e vështirë për mua të kuptoj se pse vendimi i Komisionit të BE për të filluar bisedimet me ne nuk duhet të jetë detyrues për shtetet anëtare. Ne jemi gjithashtu të gatshëm t'i kthejmë bashkatdhetarët që banojnë ilegalisht në Francë ose në vende të tjera të BE."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat