Dëbimi i rusëve, a kërcënohet Shqipëria? Deputeti i PD: Gjendja serioze!

Shqipëria

Dëbimi i rusëve, a kërcënohet Shqipëria? Deputeti i PD: Gjendja serioze!

Më: 26 mars 2018 Në ora: 17:34
Tritan Shehu

Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të dëbuar dy diplomatë rusë në vijim të sanksioneve të marra nga të gjitha vendet e NATO-s pas helmimit të ish-spiunit rus në Britani, gjë për të cilën akuzohet Moska, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një prononcim për REPORT TV, deputeti i PD, Tritan Shehu deklaron se vendimi është një detyrim për Shqipërinë, pasi është anëtare e NAT0-s.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe është e detyruar të solidarizohet me vendet e NATO-s, aq më tepër kur cenohet sovraniteti i njërit prej këtyre vendeve, është një detyrë dhe obligim për ne. Ne e kemi deklaruar, që në cështjet e sigurisë ne do të ndjekim vetëm SHBA. Pra këtu kemi të bëjmë me cështje sigurie dhe qëndrim amerikan dhe numri i konsiderueshëm vendesh anëtare të NATO-s. Nuk është thjeshtë dëshirë, por obligim për nivelet e sigurisë, prandaj e konsideroj një hap normal” tha ai.

Largimi i dy diplomatëve rusë, ngre pyetjen nëse kërcënohet Shqipëria? “Problemet e kërcënimit janë më shumë se për Shqipërinë, diskutohen në bllok për të gjitha vendet e NATO-s dhe derisa merren vendime të tilla, tregon se gjendja është serioze dhe duhet një reagim serioz, për të frenuar cdo element agresiv ndaj bllokut të NATO-s” deklaron Tritan Shehu.

Por a do të ndikojë ky vendim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë? Shehu thotë se kjo është një lëvizje në bllok e të gjitha vendeve të NAT0-s. “Çështjet nuk shtrohen sa do të ndikojë në marrëdhëniet tona me Rusinë, vendimet janë në bllok dhe zgjidhen në bllok. Rëndësi ka që ne të reagojmë në bllok”.

Shqipëria shqiptare shpalli sot ‘non grata’ dy diplomatë rusë. Me vendimin e sotëm Shqipëria iu bashkua vendeve të aleancës së NATO-s, që vendosën sanksionet pas helmimit të ish-spiunit rus në Britani. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se veprimtaria e dy diplomatëve rusë në Shqipëri nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik. Nota verbale i është komunikuar ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, Aleksander Karpushin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat