Pakti me Greqinë/ Meta pret në Presidencë Komisionin e Jashtëm, ja kur mbahet takimi

Shqipëria

Pakti me Greqinë/ Meta pret në Presidencë Komisionin e Jashtëm, ja kur mbahet takimi

Më: 1 mars 2018 Në ora: 14:22
Ilustrim deputetet

Pas shumë debatesh se si do të veprohej në vijim të diskutimit në Komisionin e Jashtëm lidhur me negociatat e vendit tonë me Greqinë për Paktin për Detin, mësohet se paraditen e nesërme deputetet e këtij komisioni do të priten nga Presidenti Meta.

Burime për “Panorama” bëjnë me dije se deputetet e Komisionit të Jashtëm do shkojnë në presidencë nesër në orën 08.15 për të diskutuar me kreun e shtetit lidhur me hapat e deritanishëm për marrëveshjen me detin

Mësohet se pjesë e takimit që pritet të mbahet nesër do të jenë edhe takimet e Presidentit Meta me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për të cilat Meta do të japë informacionin e nevojshëm për parlamentarët.

I kontaktuar nga “Panorama” deputeti demokrat Tritan Shehu tha se “deputetë janë të kënaqur për zgjidhjen që u gjet për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm”.

Kujtojme se dje ne seancen degjimore ne Komionin e Jashtem, ministri Ditmir Bushati sulmoi Meten, teksa tha: “Nuk lëshon plotfuqishmëri Presidenti. Edhe ai i shkreti e dinte gabim dhe sot thotë që, “po, kam autorizimin”. Njerëzit rreth e përqark tij ia kanë thënë gabim”, tha dje Bushati.

Tri takimet e Metes me Bushatin 

Zëdhënësi i kreut të shtetit konfirmoi se mes Metës dhe Bushatit janë zhvilluar tri takime, por përmbajtja e tyre është e ndryshme nga ajo që përfaqësuesi i qeverisë ka pretenduar gjatë deklarimeve të tij në Komisionin e Jashtëm. “Është e vërtetë që janë zhvilluar tri takime me kërkesën e ministrit Bushati, posaçërisht në datat 6 tetor 2017, 18 janar 2018 dhe 9 shkurt 2018. Në takimin e datës 6 tetor, vendin kryesor e ka zënë kërkesa e MEPJ për t’i akorduar gradën diplomatike ‘Ambasador’ ambasadorit të Shqipërisë në detyrë në Beograd, z. Ilir Bocka, si dhe kërkesa për të pranuar në parim propozimin për të emëruar ambasador në NATO z. Igli Hasanaj.

Presidenti i Republikës firmosi menjëherë mbas takimit, atë ditë, dekretin për z. Bocka dhe pranoi në parim kandidaturën e z. Hasanaj, duke kërkuar kohë për verifikimet përkatëse.

Ky takim nuk zgjati më shumë se 15 minuta. Gjatë takimit të dytë sqarojmë se z. Bushati, çështje kryesore kishte sqarimin për votimin në OKB dhe çështje të përgjithshme të personelit diplomatik jashtë vendit. Ai shprehu njëkohësisht ndjesën dhe keqardhjen për moskoordinimin e tij me Kryeministrin Rama lidhur me ndryshimin e propozimit për z. Igli Hasanaj nga ambasador në NATO për në OSBE.

Në fund të takimit, zoti Bushati i tha zotit Meta se të nesërmen do të shkonte në Korçë për të takuar zotin Kotzias për të zgjidhur të gjitha çështjet e trashëguara mes dy vendeve. Zoti Meta e inkurajoi që të vazhdojnë frymën e bashkëpunimit pozitiv, si e vetmja rrugë për të dyja vendet tona. Edhe ky takim nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta”, sqaron zëdhënësi i Presidentit.

Diskutimi per pranine e Metes 

Partia Demokratike i kërkoi Kuvendit që të thërrasë në një seancë dëgjimore Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në lidhje me marrëveshjen e detit. Kërkesa për të ftuar kreun e shtetit në Komisionin e Jashtëm në Kuvend është bërë nga nënkryetari demokrat i këtij Komisioni, Tritan Shehu.

“Ministri Bushati foli në shkelje të etikës ndaj deputetëve dhe Presidentit. Që në fillim të fjalës sime do të bëj kërkesën në emër të deputetëve të opozitës që mbas kësaj mbledhjeje, në një ditë të përshtatshme të organizojmë mbledhje të dytë dhe të thërrasim Presidentin e Republikës”, deklaroi Shehu.

“Panorama” kontaktoi me zyrën e shtypit pranë Presidentit të Republikës dhe konfirmoi se Meta është i gatshëm të marrë pjesë në çdo komision parlamentar që kërkohet në lidhje me marrëveshjen e detit me Greqinë. Deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë do të depozitojnë në Kuvend një kërkesë për të dëshmuar në Kuvend, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku dhe kreu i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Bardhyl Nuredinaj për përfshirjen në grupin negociator me Greqinë e Artur Meçollarit.

Por, sot mesohet se eshte gjetur zgjidhja, pasi deputetet do te priten nga Meta ne Presidence.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat