Lotaria Amerikane/ Në intervistë gruaja e merr vizën, burri jo, avokati: Si duhet të silleni në raste të tilla

Shqipëria

Lotaria Amerikane/ Në intervistë gruaja e merr vizën, burri jo, avokati: Si duhet të silleni në raste të tilla

Më: 29 shtator 2017 Në ora: 12:33
ilustrim

Në faqen zyrtare të Lotarisë Amerikane pyetjet janë të shumta, e ndërsa një nënë ka shkruar se djali dhe nusja e kanë fituar lotarinë por në momentin që dhanë intervistën nusja e fitoj, ndërsa për dosjen e djalit i kishin thënë që “është në procedurë”.

Kur bënë vizitat, djali doli me gjurmë ftohjeje dhe doktori i dha një analizë që bëhej me mbjelljen e gëlbazës. Procedura zgjat 6-8 javë. Djali dhe nusja vajtën në intervistë dhe nusja e mori vizën, kurse djali jo, i thanë se “dosja juaj është në procedurë”. Ju lutem, si nënë e pikëlluar që jam, të më thoni: Do ta marrë djali vizën mbas 8 javësh? Nusen e kam shtatzënë 6-muajshe, prandaj dua ndihmë nga ju për një përgjigje të shpejtë dhe të saktë. Faleminderit.

Avokati:  Përshëndetje zonjë. Sa i përket problemit tuaj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka procedurat e saj bazuar në ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe rregulloret e saj lidhur me kriteret e pranimit të shtetasve shqiptarë për kalimin e intervistës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është rigoroze sa i përket zbatimit të kritereve që ajo ka vendosur dhe ka informacion të detajuar dhe të saktë sa u përket personave që intervistohen. Kandidatët që kanë fituar lotarinë amerikane, kur janë në fazën e intervistës, duhet ta kenë të qartë se punonjësi i ambasadës që kanë përballë ka informacion të saktë sa i përket vërtetësisë së deklarimeve të kandidatit dhe për të kaluarën e atij që ka përballë.

Nga eksperienca ime në fushën e avokatisë, kam pasur rastin të kemi disa raste të cilat kanë fituar lotarinë amerikane dhe kur kanë shkuar te faza e intervistës, nuk e kanë fituar për të marrë vizën. Kam nxjerrë konkluzionin se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka një informacion të saktë rreth të shkuarës së atij që do të marrë vizën, të dhëna të cilat bien në kundërshtim me ato që ai mund të ketë deklaruar gjatë aplikimit për lotarinë amerikane. Rrallëherë mund të ndodhë që ambasada t’ua mohojë të drejtën atyre që aplikojnë. Në rast se ju jeni e bindur se djali juaj ka të drejtë për ta marrë vizën, atëherë duhet të kontaktoni me avokat për të ndjekur procedurat dhe për të kërkuar të drejtën pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Uroj ta zgjidhni sa më shpejtë problemin tuaj!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat