Shifra të “frikshme”, 30% e të rinjve shqiptarë janë të papunë

Shqipëria

Shifra të “frikshme”, 30% e të rinjve shqiptarë janë të papunë

Më: 6 shtator 2017 Në ora: 10:43
Ilustrim

Papunësia ngelet një ndër problemet themelore ne vendin tonë , vetëm në radhët e të rinjve të moshës 15-29 vjeç, referuar të dhënave zyrtare, janë rreth 30% të papunë.

Në këtë kuadër Drejtori i  Organizatës Humanitare World Vision, Toni Gogu  thekson për mediat se si pasojë e problemeve sociale,  28.2% e fëmijëve të grupmoshës 12-18 vjeç punojnë për të siguruar të ardhurat  në familje.

“Papunësia tek të rinjtë është në një nivel të lartë. Kështu, ky nivel i papunësisë tek grupi “të rinjtë” është mbi 30 për qind. Kuptohet që ky nuk është problem shqiptar, ky është problem i rajonit, pra jemi në të gjithë rajonin me një nivel të lartë papunësie dhe gjithashtu jemi në ekonomitë në tranzicion, me një problem të tillë ku të rinjtë janë duke u sfiduar me pamundësinë e shanseve”, tha Gogu.

Ai shtoi më tej se vihet re një rritje e numrit të të rinjve që kërkojnë të emigrojnë  si pasojë e vështirësive ekonomike.

“Ne i dimë nivelet e papunësisë, por më kryesorja është mungesa e shpresës. Shpresa është mpakur. Të rinjtë mendojnë që ëndrrat e tyre mund të realizohen në vende të tjera dhe jo në këtë vend. Ne synojmë që të rinjve t’iu japim një mundësi që ata të fillojnë të kuptojnë se çfarë mund të bëjnë me jetën e tyre dhe se si ata mundet të mobilizohen për një Shqipëri, për një vend, për një shoqëri më të drejtë, më të dhembshur, më të dashur ndaj më nevojtarëve”, theksoi Gogu.

World Vision është një organizatë humanitare e cila funksionin në vendin tonë që prej vitit 1999, duke ofruar ndihmë për rreth 33 mijë fëmijë në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat