Rama: Me Lulzim Bashën do të vazhdoj të bashkëpunoj

Shqipëria

Rama: Me Lulzim Bashën do të vazhdoj të bashkëpunoj

Më: 27 gusht 2017 Në ora: 13:43
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me kryetarin e opozitës Lulzim Basha sipas marrëveshjes së dakordësuar mes tyre para zgjedhjeve të 25 qershorit.

Duke folur para Asamblesë Kombëtare të PS, Rama theksoi se për çështjet ndërkombëtare të vendit, mazhoranca dhe opozita duhet të bëhen bashkë dhe të flasin me një zë në interes të Shqipërisë.

“Uroj që me kryetarin e opozitës të vazhdojmë atë çka nisëm. Për të mirën e vendit që e mirëpriti atë marrëveshje, në emër të Shqipërisë që duhet të jetë e bashkuar në sytë e botës.  Ne do ta ndajmë qartë luftën për pushtet këtu, nga bashkëpunimi i detyrueshëm për Shqipërinë, për njerëzit e zakonshëm, për gjithë ata shqiptarë që jetojnë jashtë. Nuk jemi të detyruar të pëlqejmë njëri-tjetrin, por jemi të detyruar t’i shërbejmë vendit, ta mbrojmë Shqipërinë, t’i mbrojmë shqiptarët”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Marrëveshja e 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës bëri që opozita të dilte nga çadra dhe të merrte disa poste në Qeveri që sipas saj do ta ndihmonin për të garantuar mosblerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit.

Sipas kushteve të marrëveshjes, bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës do të vazhdojë edhe gjatë legjislaturës së re për çështjet në interes të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat