Marrëveshja, Hila: Rama ka për ta shtrydhur avash – avash z. Basha

Shqipëria

Marrëveshja, Hila: Rama ka për ta shtrydhur avash – avash z. Basha

Më: 31 korrik 2017 Në ora: 23:13
Dritan Hila

Gazetari Dritan Hila i ftuar në “Tonight Ilva Tare” në “Ora News”, thotë se nëse kreu i PD-së, mendon se do të vazhdojë marrëveshjen me kryeministrin Rama, ky i fundit do ta “shtrydhë avash-avash”. Ai flet edhe për grupet kundërshtare të Bashës në PD dhe rruga që duhet të ndjekë ai.

Pjesë nga deklaratat:

Hila: Si do të jetë PD do të vendoset shumë nga mënyra e liderit aktual z.Basha. Do ta shohim nga mënyra se si sillet në Parlament. Në qoftë se grupi parlamentar largohet nga salla kur të ngrihet z.Berisha dhe jo kur çohet z.Basha ata do të fillojë problemi. Kemi parë gjatë çadrës një “pjekje” të zt.Basha. Le ta themi me terma vendas, trashje të zërit, formësimin e një personaliteti udhëheqësi. A do të jetë në gjendje që në përplasje me z.Rama të formojë profilin e tij luftarak? Në qoftë se z.Basha mendon se do ta vazhdojë marrëveshjen me z.Rama, z.Rama ka për ta shtrydhur avash-avash z.Basha.

Rama mund të them se është politikani më i aftë për intrigën e vogël në kulisat e pushtetit. Kështu që për çdo njërin prej tyre ka ditur ta rrëzojë duke i futur stërkëmbësin dhe ta rrëzojë. Qëndrimi i dytë, i z.Basha është me kundërshtarët, sepse mendoj se ka dy grupe. Një grup është ai që e sabotoi që në zgjedhjet lokale dhe e sabotuan edhe në këto zgjedhje dhe thanë kemi një rënie të PD-së. Rënia e PD-së ishte për shkak të mungesës së besimit, por edhe një rasti të pashembullt që 20 ditë përpara zgjedhjeve kërkojnë heqjen e kryetarit. Këta nuk kanë më të ardhmen.

Tare: A kanë shanse të krijojnë një forcë të re politike? Topalli, Bode..

Hila: Asnjëri prej tyre nuk ka karizmin e liderit që mund të formojë një parti të re konkurruese. I vetmi rast ka qenë z.Meta, i cili ka qenë kryeministër dhe “kafshë” politike e lindur, i cili megjithatë me zor arriti të merrte 4 deputetë.

Andoni: Brenda grupit të kundërshtarëve të PD-së ka divergjenca që nuk e honepsin dot njëri-tjetrin.

Hila: Basha me këtë grup duhet të dijë të gjejë gjuhën e përbashkët. Nuk mund ta mbështesë të ardhmen e tij politike tek zgjidhjet e tij politike si zonja Grida Duma, Salianji, zonja Duka. Duhet të kuptojë që një parti e madhe përpara se të jetë çështje shijesh, është çështje vlerash. Nëse do të arrijë të zgjidhë gjithë këtë konglomerat, mund të arrijë që në zgjedhjet lokale të krijojë një far rrezikshmërie për pushtetin dhe në zgjedhjet e përgjithshme mund të jenë konkurrues. Në Shqipëri, pushtetet nuk bien sepse sulmohen nga jashtë, por se korruptohen nga brenda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat