"Lulzim Basha kërcënon kryetarin e LSI-së"

Shqipëria

"Lulzim Basha kërcënon kryetarin e LSI-së"

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 15:50
Lulzim Basha

Ishte surprizuese deklarata e liderit demokrat Lulzim Basha disa ditë më parë nga Mallakastra kur ai tha se do të dëshironte të shihte më shumë drejtorë të arrestuar që marrin pjesë në fushatë elektorale. Ai tha se ministrat e tij teknikë janë në gjendje të shkarkojnë edhe 300 drejtues të tjerë të lartë të administratës shtetërore.

Deklaratë kjo e ardhur pas shkarkimeve të disa drejtorëve të LSI-së. Për nënkryetarin e kësaj force politike, Luan Ramës, deklarata e Bashës është e papranueshme për një vend demokratike. Madje është kërcënim i hapur ndaj kryetarit të një partie politike. 

Gjatë një konference për mediat ai tha se tagrin për të arrestuar e ka vetëm prokuroria dhe gjykata. “Ka ikur kohë kur partia të fut në burg”, u shpreh Luan Rama.

 “Një kryetar i një partie në opozitë si është Basha del e thotë që pasi u arrestuan 3 do arrestohen edhe 300 drejtorë, kush je ti, në cilin vend demokratik ndodh që të kërcënohen punonjësit, këtë tagër kushtetues e ka vetëm prokuroria dhe gjykata. Ka ikur koha kur partitë emëronin, fusnin apo nxirrnin nga burgu”, shtoi ai.

Por çfarë deklarate bëri Basha nga Mallakastra?

 “Zyrtarët që kishin ndërmend të abuzonin po struken e do të struken dita-ditës. Nja 30 drejtorë të mëdhenj e të mesëm janë shkarkuar, disa janë proceduar penalisht. Do të doja të shihja më shumë të arrestuar. Ministri i Brendshëm po bën maksimumin dhe shpresoj  që Drejtori i Policisë t’i përgjigjet sipas ligjit , e jo sipas urdhrave nga politika. Po pres arrestimet, sepse disa e kanë vendin me masa sigurie, sepse Kodi Penal e parashikon që ata shkojnë minimalisht 1 vit prapa hekurave për abuzimin me detyrën në funksion të votës. I bëj thirrje Shtetit të zbatojë Kodin Penal që i çon prapa hekurave ata që sjellin apo marrin kartat e identitetit, ata që cenojnë votën, ata që premtojnë e mashtrojnë për votën"

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat