Pritet përgjigjja e Bashës, Rama takon ambasadorin Lu

Shqipëria

Pritet përgjigjja e Bashës, Rama takon ambasadorin Lu

Më: 16 maj 2017 Në ora: 16:08
Lulzim Basha

Orë të ethshme në kampin opozitar në prag të skadimit të afati 24 orësh që la dje zyrtari amerikan.

Në pritje të një përgjigje për paketën “McAllister”, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Basha takoi dy herë sot aleatët dhe po dy herë Berishën. Ndërkohë ambasadori Lu është takuar me Kryeministrin.

Mësohet se gjatë takimit të dytë të Lulzim Bashës me aleatët e djathtë, i mbajtur këtë të martë në selinë e PD, ai ka njohur aleatët me propozimet e zyrtarit amerikan Brian Hoyt Yee për zgjidhjen e krizës politike.

Në përfundim ka qenë kryetari i PAA, Agron Duka që ka deklaruar për mediat se, opozita po shqyrton paketën “McAllister”.

“U mor në shqyrtim paketa McAllister dhe propozimet e bëra nga kryeministri Rama, siç ishte zv/kryeministri etj, e cila kërkon një kohë të domosdoshme implementimi dhe patjetër që të realizohet duhet të ketë një minimum kërkesash, pra një identifikim biometrim dhe numërim elektronik. Unë kam ngulur këmbë dhe besoj u ra dakord që votimi elektronik e ka humbur sensin, pasi ndërkohë është caktuaar një datë zgjedhjesh dhe kërkohet një shtyrje e logjikshme sigurisht, se nuk mund të kërkojmë një vit”, ka deklaruar Duka.

Ndërkohë, më pas Basha është takuar me ish-kryeministrin Berisha për të diskutuar konkluzionet e tryezës dhe për të përgatitur përgjigjen e tij ndaj ofertës amerikane.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat