Basha bën thirrjen e fundit për protestën: Dilni, nuk do dëmtohet asnjë lule!

Shqipëria

Basha bën thirrjen e fundit për protestën: Dilni, nuk do dëmtohet asnjë lule!

Më: 23 prill 2017 Në ora: 23:20
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka theksuar edhe një herë në mbrëmje, se protesta e së hënës do të jetë paqësore.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kryetari i Partisë Demokratike thotë se trafiku në disa nga akset kombëtare në Shqipëri do të bllokohet për një orë, nga 11:00 deri në 12:00, por nuk do të ketë asnjë shfaqje të dhunës nga ana e protestuesve. Basha thotë se kjo bëhet në shenjë proteste ndaj qeverisë dhe lidhjeve të saj me krimin dhe trafikun e drogës. 

Basha i drejtohet edhe policisë kur thotë se në mesin e qytetarëve protestues, nuk do të gjejnë asgjë, veçse forcës pozitive për të ngritur zërin për hallet e tyre. 

Më herët gjatë ditës Policia e Shtetit doli në një deklaratë zyrtare ku tha se nuk ka dhënë leje për protestën e PD-së, duke paralajmëruar njëherësh se do të ketë procedime të qytetarëve që bllokojnë rrugët. Sipas policisë nuk ka argument ligjor që të justifikojë veprimin e demokratëve. 

Edhe kryeministri Rama i bëri thirrje qytetarëve të mos dalin në protestë, pasi policia do të bëjë detyrën. Sipas kreut të qeverisë, qytetarët nuk duhet të mbrojnë interesat e vërteta të PD-së, që sipas tij është frika nga reforma në drejtësi.

Statusi në Facebook i Bashës:

Nesër mes orës 11:00 dhe 12:00 qytetarët do të bllokojnë transportin kombëtar anembanë Shqipërisë. Në rrethrrotullimin e Shqiponjës dhe në kryqëzimin e teknologjikut në Tiranë, në rrethrrotullimin e Plugut, në rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit në Milot, në rrethrrotullimin e Bradasheshit e kudo do të jenë qytetarët e veriut, jugut, lindjes, perëndimit dhe të gjithë Shqipërisë.

Asnjë lule nuk do të dëmtohet, asnjë gjë nuk do të thyhet. Trafiku do të bllokohet për një orë, por trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korrupsionit do të marrin fund një herë e mirë. Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe ne jemi njerëz të kurajos qytetare.

Policia e shtetit, burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se tek qytetarët e bashkuar nesër do të gjejnë forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre dhe të gjithë atyre që nëpërkëmben, që keqtrajtohen dhe që frikësohen nga ky pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat