Basha: Qeveria teknike 100 ditë pushtet...pastaj zgjedhje!

Shqipëria

Basha: Qeveria teknike 100 ditë pushtet...pastaj zgjedhje!

Më: 2 prill 2017 Në ora: 19:03
Lulzim Basha

Me të njëjtën këmbëngulje të kryeministrit Edi Rama për të shkuar në zgjedhje pa opozitën, edhe kreu demokrat Lulzim Basha shprehu këtë pasdite qëndrimin për të vijuar protestën me kërkesën kryesore për një qeveri teknike.

Nga “Çadra e Lirisë”, siç është pagëzuar streha e protestuesve përballë kryeministrisë, lideri i opozitës shprehu bindjen se në 18 qershor të 2017-ës Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje parlamentare.

Basha tha se duhet krijuar një qeveri teknike pa Edi Ramën, për të garantuar kështu zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për herë të parë, Basha foli hapur për shtyrje të zgjedhjeve të 18 qershorit, me të paktën 100 ditë. Kjo ishte kohë që kreu demokrat kërkon t’i jepet qeverisë teknike për të kthyer vendin në normalitet, para se të mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri shqiptar.

“Duhet qeveri teknike me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e saj. 100 ditë në dispozicion për të çmontuar aparatin mafioz dhe narkotrafikantë që mban Edi Ramën në pushtet”, tha Basha.

Në përfundim, ai u drejtua me një apel për kryeministrin Rama.

“I bëj thirrje ti vë gishtin kokës dhe ta kuptojë se këto kushte janë rrugëzgjidhja për Shqipërinë Evropiane por janë edhe shansi i tij i fundit për të mos përfunduar si diktatorët e marrë. Thirri mendjes sa nuk është vonë. Beteja jonë ka nisur dhe do të përfundojë vetëm me fitore”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat