Anulohet takimi Rama-Meta, Tahiri përplaset me LSI për kanabisin

Shqipëria

Anulohet takimi Rama-Meta, Tahiri përplaset me LSI për kanabisin

Më: 18 mars 2017 Në ora: 08:09
Edi Rama dhe Ilir Meta

Nuk ka më gjuhë të drunjtë. Afrimi i zgjedhjeve parlamentare dhe vendimi që duhet të marrë LSI-ja për të vazhduar ose jo marrëveshjen e “1 prillit” të katër viteve më parë, ka risjellë dhe debate mes tyre. Dy aleatët e koalicioni i janë rikthyer thumbimeve, me të njëjtin intensitet ku e patën lënë që nga koha kur u shkarkua ish-ministri i LSI-së Ylli Manjani, deri te kthimi i restos me shkarkimin e katër ministrave ku spikat ai i të Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri. Po ashtu, dje dështoi dhe takimi i planifikuar të mbahet mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta, një tjetër sinjal ky që tregon se shanset janë shumë të vogla që PS dje LSI të vazhdojnë koalicionin dhe për një mandat tjetër. Raporti më i fundit i DASH për drogën dhe kanabisin ka rikthyer dhe një herë konfliktin mes dy aleatëve për këtë çështje.

Replikat

Debati, edhe pse zanafillën e ka shumë më larg, por u rikthye në skenë dy ditë më parë, kur ish-ministri Saimir Tahiri iu përgjigj thirrjeve të kolegëve të tij në qeveri, nga LSI-ja, se kryeministri i ri do të ishte Ilir Meta. “Ne kemi një kampion skuadre, ai është lideri ynë Edi Rama, kryeministri i vendit, dhe për ata që nuk e kanë marrë vesh, kryeministër i vendit edhe për 4 vitet e ardhshme”, deklaroi dy ditë më parë Tahiri. Kësaj deklarate i është përgjigjur Luan Rama, në emër të LSI-së, ku tha se ndryshimet në qeveri i bën vetë kryeministri, por kreu i Grupit Parlamentar të LSI, duke iu referua raportit të DASH për drogën, lëshoi akuza për performancën e policisë. Ai tha se vendi ka nevojë për aksion konkret dhe jo për shfaqja televizive të policisë. “Ky konstatim shqetësues kërkon një reagim të përgjegjshëm të gjithë agjencive që kanë për detyrë luftën kundër drogës dhe një reagim të përgjegjshëm të të gjitha institucioneve shtetërore. E rëndësishme për vendin që Shqipëria të mos bëjë më spektakle me transmetimet televizive të policëve që çohen për të kapur kanabis... Për sa i përket asaj që ju i referoheni, analistëve apo komentatorëve që thonë që problemi është LSI-ja, më falni, natyrisht ka edhe njerëz me oshilacione, me deformime, me perceptime të gabuara për të mos përdorur ndonjë term tjetër, sepse shoqëria prandaj është e larmishme, asnjëherë nuk ka qenë, nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë problemi LSI-ja. Problemi ka qenë dhe mbetet oligarkia. Prandaj ky është prioriteti ynë, ky është angazhimi ynë dhe kur them oligarkia, kam parasysh oligarkinë me gjithë dimensionin e saj: oligarkinë në aspektin ekonomik, oligarkinë e krimit, oligarkinë e koncesioneve, oligarkinë e presioneve, oligarkinë e ultimatumeve dhe gjithçka tjetër që kontaminon dhe deformon angazhimet prioritare që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve shqiptar me përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve në radhë të parë dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha Rama i LSI-së.

Reagimi i Tahirit 

Ministri në detyrë, Saimir Tahiri, duke komentuar shifrat e luftës kundër hashashit, tha se LSI ka bërë një lexim të pasaktë të raportit të DASh, duke i referuar deklaratës së Luan Ramës, të cilin ai e etiketon si “zëdhënësi i LSIsë”. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ministri i shkarkuar jep shifrat e raporteve të viteve të mëparshme për një lexim krahasues për të thënë se Shqipëria nuk njihet si burim i rëndë- sishëm i prodhimit të marijuanës që prej 2013, kur koalicioni PS-LSI mori detyrën, por se u rrit forca goditëse e policisë. Në vijim të reagimit, ishministri rriti dozat e akuzave si ndaj PD-së, dhe veçmas ndaj drejtuesve të LSI-së, të cilët, sipas tij, kërkojnë të shohin PS-në të rrënuar. “Nuk kam pritur dhe nuk pres ndërkohë që këtë lexim krejt të qarte të këndvështrimit te DASH mbi tre vite betejë kundër kultivimit te kanabisit, ta bëjnë kundërshtarët e betuar të Policisë së rilindur të shtetit. Qofshin këta të fundit në çadrën e pashpresë të bulevardit, qofshin në çadrat e turpshme të emisioneve të porositura dhe komentatorëve të paguar apo qofshin në rolin e hienave të dala nga oborri i PS, që ëndërrojnë dështimin e Partisë Socialiste, përgjigjen e merituar e kanë marre tre vjet e gjysmë nga puna jonë e përbashkët dhe do ta marrin nga populli i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë në 18 qershor”, tha Tahiri në vijim të reagimit, ndërsa në fund thekson: Drejtësia vonon po nuk harron. Dhe kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas akuzave të LSI-së për drogën, e cila e quajti shumë shqetësues problemin e drogës në vend dhe kërkoi marrjen e masave të menjëhershme. Ndryshe nga LSI që e sheh gotën gjysmë bosh, Rama e sheh plotë dhe thotë se raporti i DASH provon se sa shumë është bërë në luftën kundër kanabisit. “Raporti i DASH provon sa shumë është bërë në luftën kundër kanabisit. Shumë mbetet për t’u bërë dhe do të bëhet se s’bën”, deklaroi Rama. “Ftohja” e marrëdhënieve mes LSI-së dhe ish-ministrit të Brendshëm pro dhe me Partinë Socialiste në përgjithësi, erdhi pas shtimit të zërave se Tahiri u shkarkua nga detyra e ministrit pas presionit që Ilir Meta i bëri shefit të qeverisë. Por burime bëjnë të ditur se fërkimet mes tyre lidhen dhe me vendimin që duhet të marrë LSI për rreshtimin e saj në koalicion e ardhshëm.

Shtyrja e takimit Rama-Meta

Ndërsa ka çadra e PD-së dilnin thirrjet për qeveri teknike, Edi Rama zhvillonte një takim në vilën numër 30 me amabasadorët e vendeve të BE-së dhe të SHBA-së. Përballë Vilës qeveritare, Meta kishte mbledhur në Kryesinë e Kuvendit, ministrat e deputetët e partisë së tij. Ishte paralajmëruar më pas një takim mes Ramës dhe Metës, por papritur ai nuk është zhvilluar, gazetarët që prisnin aty janë larguar. Rama mësohet se më pas konsultave 90 minuta me ndërkombëtarët është nisur drejt Shkodrës për të shpërndarë certifikatat e legalizimeve, ndërsa Meta ka vijuar takimet me njerëzit e partisë së tij.

Besnik Mustafaj: Të huajt kanë frikë të ndërhyjnë për zgjidhjen e ngërçit

Shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj duke komentuar situatën politike në vend dhe protestën e opozitës tha se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës lë- në të papërfaqësuar gjysmën e shqiptarëve. Ai shton se mungesa e opozitës në Parlament shkakton krizë politike. “Gjatë 29 ditëve të kësaj protestë ne nuk kemi asnjë hap afrimi për të mundësuar një kompromis midis palëve. Pas një muaji protestës mund të shtohet vetëm shqetësimi, pasi shohim një qeveri absolutisht të pa interesuar për kërkesat e opozitës. Nëse Rama i bën zgjedhjet pa opozitën, atëherë realisht vendi nuk ka zgjedhje. Nëse Basha nuk futet në zgjedhje dhe vendi shkon në zgjedhje të reja pa pjesëmarrjen e opozitës, atëherë lihet gjysma e popullsisë e papërfaqësuar në Parlament. Mungesa e opozitës në Parlament shkakton krizë politike”, tha Mustafaj për “Neës 24”. Ndërsa duke komentuar situatën me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, Mustafaj tha se ky është një fenomen shqetësues jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit. “Në 2016 kultivimi i drogës në Shqipëri dhe trafikimi i lëndëve narkotike, gjë që po vazhdon, ka njohur një rritje dramatike. Frika kryesore e opozitës është se paratë ë drogës mund të futen në fushatë dhe të deformojnë rezultatin, duke blerë votën. Gjatë 2014 dhe 2015 në mënyrë sistematike opozita ka denoncuar fenomenin e drogës”, tha ai. Lidhur me mundësinë e një ndërhyrje ndërkombë- tare për normalizimin e situatës në vend, Mustafaj tha se është e vështirë të ndërhyhet në këtë situatë, apo të mbahen qëndrime të caktuara. Sipas tij, duke qenë se kërkesa e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është demokratike dhe e rëndësishme, ndërmjetësit e kanë të vështirë të ndërhyjnë. “Në institucionet ndërkombëtare ka gjithnjë një lloj polarizimi. Nga Parlamenti Evropian ka mbështetje që vijnë për Bashën dhe protestën, nga Këshilli Europian ka thirrje për t’u kthyer në Kuvend e nga ana tjetër nuk ka kritika prej tyre për protestën. Por besoj se edhe “shkesi” e ka të vështirë të veprojë duke marrë parasysh kërkesën që ka opozita”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat