Rama: Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni

Shqipëria

Rama: Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 12:20
Kryeministri i Shqiprisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqiprisë, Edi Rama ka folur në lidhje me akuzat e mediave serbe dhe ruse për ”ndikimin e tij për të rrëzuar Gruevskin”. Ai këtë e ka cilësuar si të pavërtetë dhe thotë se shqiptarët kanë ndikuar vetë që të kuptojnë rolin e vetë në Maqedoni.

”Është një pyetje shumë e rëndësishme dhe që lidhet me një temë shumë të rëndësishme të shqiptarëve. Nuk është arritja ime, por që kam dhënë kontributin tim jo për të rrëzuar njërin dhe ngritur tjetrin, por për të ndikuar që shqiptarët të trajtohen me dinjitet si të barabartë në një shtet që ne kemi interes strategjik ta shikojmë stabël dhe në konsolidim. Shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtetformuese. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Bashkëjetesa e shqiptarëve me maqedonasit, harmonia në këtë bashkëjetesë dhe respekti i barabartë si njerëz është kyç. Kjo është e gjithë. Asnjë ndikim që shqiptarët të bëhen me njërin apo me tjetrin. Thjesht dhe vetëm inkurajim dhe mbështetje për një platformë të të gjithë shqiptarëve bashkë që nuk janë bërë një parti. Kanë divergjencat e tyre.”

”Ne e respektojmë pluralizmin e partive siç respektojmë Maqedoninë një dhe të pandashme. Në respekt të pluralizmit të tyre, ata kanë rënë dakord që disa çështje themelore që nuk janë të reja, të shpikura apo të shkruara në Tiranë, por të vulosura marrëveshjen tanimë antike të Orhrit, të vendosen në tavolinë si detyrime të përbashkëta të shqiptarëve dhe të maqedonasve për t’i implementuar. Marrëveshja e Ohrit është ylli polar i shqiptarëve dhe për një periudhë kohe për fat të keq, ai yll polar u zbeh apo u imitua le të themi në mënyrë artificiale duke u lënë jashtë vëmendjes në thelbin e vet. Kjo është e gjitha. Se bie dakord me njërën palë se me tjetrën nuk ka rëndësi. Shqiptarët kanë rënë dakord për këtë platformë. Do të isha shumë i dëshiruar që të shikoja nga pala maqedonase objektivitet dhe realizëm. Shqiptarët nuk mundet më të tërhiqen në qeveri dhe pas qerres së qeverisë për ca poste e vetura. Shqiptarët meritojnë të respektohen njësoj si maqedonasit.”

Rama e ka vlerësuar si kyç ndikimin e partive shqiptare në Maqedoni.

”Faktori shqiptar është pozicionuar në anën e duhur të historisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë. Ne kemi mbështetur dhe inkurajuar atë që ziente në zemrat e shqiptarëve dhe që në fund filloi të ziej në zemrat e përfaqësuesve të tyre politikë dhe kjo ishte më e mira në këto zgjedhje.” ka thënë Rama në emisionin e Ilva Tares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat