Ushqimet, AKU: Për 40 ditë, 5.2 milionë lekë gjobë

Shqipëria

Ushqimet, AKU: Për 40 ditë, 5.2 milionë lekë gjobë

Më: 19 dhjetor 2016 Në ora: 08:43
Ilustrim

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë muajit dhjetor ka intensifikuar kontrollet për produktet me origjinë shtazore dhe nënproduktet e tyre.

Armand Uruçi, drejtor i AKU Tiranë, tregon se gjatë muajit nëntor dhe fillimit të këtij muaji, janë marrë një sërë masash ndëshkimore për subjektet që tregtojnë dhe përpunojnë mishin.

Në 40 ditë, sipas tij, për problemet që janë hasur në produktet me origjinë shtazore janë vënë 3.7 milionë lekë gjobë, ndërsa në total vlera e gjobave për muajin nëntor shkon në 5.2 milionë lekë. Drejtori i AKU Tiranë, ngre si shqetësim faktin se, para se një subjekt të nisë aktivitetin, duhet të licencohet nga AKU-ja, pasi shpeshherë nuk ofrojnë standardet minimale për tregtimin e produkteve ushqimore.

Zoti Uruçi, cili është fokusi i inspektorëve të AKU-së në prag të festave? Plani i inspektimit fokusohet në tri fusha; fusha e mbrojtjes së bimëve, sektori ushqimor dhe sektori me origjinë shtazore. Plani i kontrollit miratohet nga drejtoria e përgjithshme, më pas në drejtoritë rajonale të AKU-së, dhe shpërndahet nëpër subjekte. Gjatë këtij muaji, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, meqenëse jemi në sezonin e festave, ne po punojmë pak më shumë jashtë orarit dhe jemi të fokusuar në tregjet e hapura, në stabilimentet dhe magazinat e mëdha, në subjektet e tregtimit dhe përpunimit të mishit dhe në subjektet e tregtimit të produkteve me origjinë shtazore, siç është djathi, qumështi, të gjitha llojet e bulmetrave. Njëkohësisht po monitorojmë edhe marketet dhe supermarketet për datat e skadencave dhe etiketimin në gjuhën shqipe, i cili është detyrim ligjor. Konsumatori ka të drejtën të njihet me produktin që konsumon.

Po sa u përket produkteve të mishit, si është situata?
Pjesë e kontrollit tonë janë subjektet e përpunimit të mishit, kontrollet në pikat e therjes, në pikat e tregtimit. Automatikisht, kur evidentohet mish pa vulë, bllokohet, asgjësohet dhe penalizohet subjekti përkatës. Në këtë periudhë, në të gjitha stabilimentet e nënprodukteve të mishit është intensifikuar kontrolli dhe po verifikohet sistemi i gjurmueshmërisë, që do të thotë, identifikimi se nga vjen ky produkt dhe ku shkon.

Po flitet shumë për sëmundjen e gjedhit, dermatoza nodulare; a keni hasur produkte me këtë sëmundje?
Jo, kjo është një pjesë me të cilën merret Ministria e Bujqësisë. Ne si AKU merremi vetëm me mishin dhe jo me kafshët e gjalla. Normalisht, një kafshë e sëmurë nuk duhet të shkojë në thertore, mbetet jashtë saj. Pasi ka një veteriner të bashkisë, një veteriner të thertores, të cilët konfirmojë certifikatën e kafshës.

Tregjet e hapura, jo vetëm në këtë periudhë, por gjatë gjithë vitit, preferohen nga konsumatorët; si paraqitet gjendja e tyre, pasi shpeshherë nuk ofrojnë standardet e duhura?
Tregjet që administrohen nga bashkitë kanë problemet e tyre, dhe disa kanë marrë gjobë për problemet e hasura gjatë kontrollit nga AKU-ja. Gjatë dy muajve të fundit, Bashkia e Tiranës është gjobitur 3 herë, Bashkia e Kavajës 2 herë, Bashkia e Vorës 1 herë dhe Bashkia e Kamzës 1 herë. Po ashtu, edhe të gjithë administratorët e tregjeve private, pasi veç tregjeve që administrohen nga bashkitë, ka edhe tregje private, dhe ato janë gjobitur nga 1 herë. Gjoba shkon në vlerën e 300 mijë lekëve të reja. Problematikë në këto tregje mbetet tregtimi i nënprodukteve shtazore dhe ato të bulmetit.

Shpeshherë ne nuk e dimë çfarë hamë; sipas jush, sa të sigurt janë qytetarët e Tiranës për produktet që ata konsumojnë?
Siguria ushqimore për qytetarët e Tiranës është në nivele maksimale, por ka edhe shumë punë për të bërë. Ne jemi fokusuar – nga vetë lloji i problematikave – në produktet me origjinë shtazore, te të cilat përpiqemi të implementojmë sistemin e gjurmueshmërisë. Sepse Tirana ka një specifikë ndryshe nga tregjet e tjera, pasi një pjesë goxha e madhe e produkteve vjen nga rrethet e tjera të vendit, nga stabilimentet, baxhot, thertoret që janë jashtë Tiranës. Dhe ky lloj kontrolli na bën të mundur që ne të marrim të dhëna nga vendi i origjinës, pasi duhet certifikata e origjinës së produktit në mënyrë që edhe siguria ushqimore të jetë në nivele më të larta.

Cili është sektori më problematik?
Produktet me origjinë shtazore dhe datat e skadencës. Ndaj edhe fokusi ynë është pikërisht në këta sektorë. Po ashtu jemi tmerrësisht të ashpër dhe në ndëshkimin e tyre. Automatikisht, për një subjekt që tregton produkte të skaduara, ndëshkimi është maksimal dhe i jepet vendimi për bllokim të aktivitetit deri në plotësimin e kushteve për ta rihapur aktivitetin sërish. Konstatime për problemin e skadencës kemi gati çdo ditë, por nuk ka produkte masive, janë në përmasa të vogla, dhe kryesisht janë në subjektet periferike.

Folët për masat administrative; sa është niveli i gjobave që keni vendosur gjatë këtyre dy muajve të fundit?
Për muajin nëntor dhe dhjetëditëshin e parë të dhjetorit janë vendosur një total prej 5.2 milionë lekësh gjobë. Shkeljet për produktet me origjinë shtazore zënë pjesën kryesore, pasi gjobat shkojnë në 3.5 milionë lekë, ndërsa produktet me origjinë joshtazore janë në nivelin 1.7 milionë lekë.

Çfarë shqetësimi tjetërkeni ju si drejtues i AKU-së?
Përveç dyqaneve të tregtimit të mishit, asnjë subjekt tjetër nuk licencohet nga AKU-ja kur hapet. Që do të thotë se, çdo qytetar që do të hapë një dyqan, market, mjafton të paraqitet pranë QKRsë të hapë një NIPT 100 lekë dhe të ushtrojë çfarëdolloj aktiviteti. Kjo është një politikë jo e mirë për sigurinë ushqimore, edhe pse është politikë favorizuese për subjektet. Nga autoriteti përkatës duhet të ketë një kontroll para se të hapet subjekti. Nuk është normale të hapet një supermarket që shet nga mishi e djathi dhe produkte të tjera ushqimore, pa u licencuar nga AKU-ja. Pasi AKU-ja normalisht do t’i shkojë për kontroll pas 6 muajsh, pasi shkon me plan kontrolli. Normalisht, subjektet që tregtojnë produkte ushqimore duhet të licencohen fillimisht nga AKU-ja, sepse duhet që këto subjekte të plotësojnë disa kritere bazë, si uji i ngrohtë, tualeti etj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat