Dy ngjarjet që tronditën Shqipërinë, Tahiri i vë gishtin politikanëve: U thoni grave ndrikulla e lavire!

Shqipëria

Dy ngjarjet që tronditën Shqipërinë, Tahiri i vë gishtin politikanëve: U thoni grave ndrikulla e lavire!

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 11:55
Saimi Tahiri

Dy ngjarje të rënda tronditën opinionin publik ditët e fundit. Një burrë në Fier hodhi nga dritarja e tualetit nga kati i katërt bashkëshorten e tij pasi e zhveshi dhe e dhunoi. Sot në Korçë një 41-vjeçar vari dy fëmijët 4 dhe 6 vjeç e më tej i dha fund edhe jetës së tij pas konflikteve me bashkëshorten e tij e cila vazhdimisht braktiste familjen.

Dy ngjarje tronditëse të cilat kanë sjellë edhe reagimin e zyrtarëve shqiptarë. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani pas kritikave nga deputetja demokrate Majlinda Bregu, tha se rasti i Fierit do të hetohet pasi gruaja 43-vjeçare ishte me urdhër mbrojtje si pasojë e dhunës që bashkëshorti 52-vjeçar kishte ushtruar ndaj saj.

Në kushtet kur shumë gra kanë mbetur viktima, edhe pse kanë qenë të pajisuara me urdhër mbrojtje, zgjidhja tashmë shihet jo vetëm tek policia dhe drejtësia. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha sot se duhet të ketë mekanizma shoqëror që i paraprijnë këtyre autoriteteve, pasi dhuna në familje sipas tij është një fenomen që prek gjithë shoqërinë.

Duke i vlerësuar tronditëse këto ngjarje, në radhë të parë si prind, familjar, qytetar, por mbi të gjitha për detyrën që ai mban, ministri tha se “duhet bërë shumë më shumë për të pasur komunitete më të informuara të cilat raportojnë më shpejt për dhunën në familje”.

“Më së pari para se të jetë fenomen që pret policinë dhe drejtësinë prek gjithë shoqërinë. Na duhen komunitete vendore të informua dhe të organizuar. Ndihma më e parë nuk është policia, para se të shkojmë atje duhet të kemi mekanizma shoqëror që i paraprijnë policisë dhe drejtësisë”, u shpreh Tahiri.

Ministri foli me një gjuhë të ashpër kur tha se duhet të merret iniciativë për të dekurajuar publikisht dhunën... dhe gishtin e drejtoi më së pari nga politikanët shqiptarë.

“Jam i shqetësuar që dhuna promovohet në retorikën publike jo rrallë edhe nga politikanët. Edhe në parlament ndodh të dëgjosh retorikë dhune, si ndrikulla apo lavire për deputetet gra në parlament. Politika t'i lërë dënglat dhe të promovojnë qytetarë që respektojnë ligjin që nuk i dedikohen dhunën dhe të refuzojnë të gjithë së bashku dhunën”, - theksoi ai.

Ministri foli nga qyteti i Laçit ku pa nga afër zyrat e reja të Shërbimit të Policisë.

Vetëm në qarkun e Lezhës janë mbi 100 raste të raportuara për dhunë në familje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat