Abuzimet me ushqimet për festat e fundvitit, AKU shton kontrollet: 155 masa në një javë!

Shqipëria

Abuzimet me ushqimet për festat e fundvitit, AKU shton kontrollet: 155 masa në një javë!

Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 12:46
Ilustrim

Në javën e parë të muajit nëntor Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë një aksion të gjerë në të gjitha qarqet e vendit.

Inspektorët e AKU-së, kanë kryer kontrolle në dyqanet e mishit, në Fast-Food, tek zgarat e qofteve, te subjektet që tregtojnë pije jo alkoolike si dhe në shumë biznese të tjera. Nga 522 kontrollet e kryera deri në datën 11 nëntor janë marrë  155 masa paralajmërim për bllokim dhe gjobë për subjektet të cilat nuk plotësonin kushtet për sigurinë ushqimore. Gjithashtu pjesë e kontrollove janë edhe produktet që vijnë nga jashtë, të cilat nuk kanë etiketën në gjuhën shqipe. Për këtë arsye në qarkun e Tiranës janë vendosur gjoba ndaj disa produkteve si birrë, oriz etj, të cilat nuk kanë etiketën e notifikuar në gjuhën shqipe.

Tiranë

Përgjatë një jave në qarkun e Tiranës janë kryer 152 inspektime, kryesisht në markete, tregje ushqimore, restorante, Bar-Kafe etj. Nga këto inspektime janë marrë masa me gjobë për 11 subjekte, në masën 510.000 lekë. Gjithashtu janë paralajmëruar 33 subjekte të tjera, të cilat nuk plotësonin kushtet për sigurinë ushqimore. 17 gjoba janë vendosur për subjektet që tregtojnë produkte të cilat janë të importuara, por nuk kanë etiketën në gjuhën shqipe. Ndërkohë në qarqet e tjerë janë kryer 370 inspektime.

Në prag të festave të fundvitit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të shtojë kontrollet, duke qenë se rritet konsumi i qytetarëve. Kontrollet do të shtohen në të gjitha Drejtoritë Rajonale, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me ushqimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat