Roli i të huajve: Zbardhen debatet në grupin e PD

Shqipëria

Roli i të huajve: Zbardhen debatet në grupin e PD

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 10:06
Lulzim Basha

Ruli: …Përse u kujtuam tani për të kërkuar një rol vetëm monitorues nga ekspertët ndërkombëtarë. Këtë çështje e kemi ngritur në grup unë e disa deputetë që një muaj më parë. Bregu: E kemi kërkuar në rolin e operacionit ndërkombëtar monitorues. Ne nuk mund të marrim kostot e moskoherencës sonë. Drafti ka ndryshuar 90 % me ndërhyrjet tona…

Pas më shumë se dy orë diskutimesh, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha për mediat se, vendimi i grupit parlamentar për propozimin e fundit të PD-së ishte në unanim për ta mbështetur.

Por, para se Basha të nxirrte këtë konkluzion, në mbledhjen me dyer të mbyllura, ai ka hasur jo pak kritika, për qëndrimin që ai ka mbajtur deri më tash në negociatat për reformën në drejtësi, e kryesisht për kushtin e panegociueshëm, rolin e ndërkombëtarëve.

Basha u ka folur deputetëve për mos-reflektimin e vërejtjeve të Venecias sa i përket rolit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që sipas tij, duhet të ketë rol jo vendimmarrës.

Por kjo këmbëngulje e Bashës për të mos negociuar pikërisht këtë pikë ka sjellë reagimin e deputetes demokrate, Majlinda Bregu, e cila ka cituar pikërisht një kërkesë të ekspertëve të opozitës të bërë muaj më parë ku i kërkonte Venecias që të huajt të kishin jo vetëm rol vëzhgues, por edhe vlerësues.

“…E kemi kërkuar ne rolin e operacionit ndërkombëtar monitorues. Ne nuk mund të marrin kostot e moskoherencës sonë. Drafti ka ndryshuar 90 % me ndërhyrjet tona. Kush na garanton që puna që kemi bërë nga shtatori deri më sot nuk bie poshtë? Jemi identifikuar sikur nuk duam reformën në drejtësi dhe çështja është çfarë ndodh me këtë parti….”, – tha Bregu.

Edhe Genc Ruli kishte rezervat e veta, duke pasur parasysh faktin se ai ka qenë ndër zërat e parë të grupit që ka kundërshtuar propozimet e hershme për rol vendimmarrës të ndërkombëtarëve në proces.

“…Përse u kujtuam tani për të kërkuar një rol vetëm monitorues nga ekspertët ndërkombëtarë. Këtë çështje e kemi ngritur në grup unë e disa deputetë që një muaj më parë. Futja si nen kushtetues i pranisë së rolit të ekspertëve të huaj u jep atyre automatikisht një pushtet kushtetues që bie ndesh me parimin e sovranitetit kombëtar. Komisioni i Venecias, por edhe ndihmës/sekretarja e Shtetit, Nuland madje edhe ambasadori Lu kanë deklaruar që roli i ekspertëve ndërkombëtarë nuk duhet të cenojë sovranitetin politik të shqiptarëve, por në draftin e reformës dhe në propozimet e tyre me shkrim kanë tejkalim të madh nga vetë deklaratat. Këtë PD-ja duhej ta kishte ngritur si argument thelbësor që 6 muaj më parë…”, – është shprehur Ruli.

I këtij mendimi ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka lënë mbledhjen e grupit më herët për të takuar ambasadorin amerikan Donald Lu.

“…A garantohet sovraniteti kur roli i ndërkombëtarëve është përtej vëzhguesit? Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk mund të jenë ekzekutivë…”, mësohet të jetë shprehur Berisha.

Ndërsa deputeti Astrit Patozi është shprehur se kjo moskoherencë qëndrimesh nga PD-ja do të jetë faturë për vetë opozitën.

“…Kemi kërkuar vetë angazhimin e ndërkombëtarëve si garanci, tani po duket sikur kemi ndryshuar qëndrim. Faturën e humbjes do ta japë arbitri dhe fatkeqësisht është shumë e dukshme që ne kemi një problem të fortë me të…Deri tani na ka mbetur neve në dorë fatura. Duhet të kishim qenë më të qartë në atë që kërkonim…”, – është shprehur ai.

Nga ana e tij, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha është shprehur se nga PD-ja nuk ka pasur inkoherencë dhe se negociatat do të vijojnë për gjetjen e një kompromisi.

Debatet nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat

Berisha: … Jemi investuar shumë tek neni 88 për moskapjen. A garantohet sovraniteti kur roli i ndërkombëtarëve është përtej vëzhguesit? Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk mund të jenë ekzekutivë…

Patozi: Kemi kërkuar vetë angazhimin e ndërkombëtarëve si garanci, tani po duket sikur kemi ndryshuar qëndrim. Faturën e humbjes do ta japë arbitri dhe fatkeqësisht është shumë e dukshme që ne kemi një problem të fortë me të…Deri tani na ka mbetur neve në dorë fatura. Duhet të kishim qenë më të qartë në atë që kërkonim. Duhet ta kishim thënë përpara se po aq e rëndësishme sa kapja e drejtësisë nga qeveria ishte edhe përfshirja e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut. Kur e themi tani, s’jemi më të besueshëm…A e evitojmë dot ne këtë kosto? Dhe nëse jo, çfarë do të bëjmë me të. E përballojmë dot ne? A bëhet më e fortë apo më e dobët PD-ja pas kësaj? Qëllimi ynë kryesor është si të vijmë në pushtet dhe jo si ta hedhim reformën

Ruli: …Përse u kujtuam tani për të kërkuar një rol vetëm monitorues nga ekspertët ndërkombëtarë. Këtë çështje e kemi ngritur në grup unë e disa deputetë që një muaj më parë. Futja si nen kushtetues i pranisë së rolit të ekspertëve të huaj u jep atyre automatikisht një pushtet kushtetues që bie ndesh me parimin e sovranitetit kombëtar. Komisioni i Venecias, por edhe ndihmës/sekretarja e Shtetit, Nuland madje edhe ambasadori Lu kanë deklaruar që roli i ekspertëve ndërkombëtarë nuk duhet të cenojë sovranitetin politik të shqiptarëve, por në draftin e reformës dhe në propozimet e tyre me shkrim kanë tejkalim të madh nga vetë deklaratat. Këtë PD-ja duhej ta kishte ngritur si argument thelbësor që 6 muaj më parë…

Bregu: Përse nuk kemi folur për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, por vetëm për paragrafin 88, kur problem paska qenë roli i tyre…Në opinionin e ekspertëve të opozitës të muajit janar dërguar Venecias thuhet ndër të tjera se, “vëzhguesit ndërkombëtarë të Monitorimit duhet të kenë të drejtë jo vetëm që të marrin informacion për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, por të bëjnë edhe vlerësimin e tyre sipas të njëjtave procedura që parashikohen edhe për gjyqtarët/prokurorët”…Pra e kemi kërkuar ne rolin e operacionit ndërkombëtar monitorues. Ne nuk mund të marrin kostot e moskoherencës sonë. Drafti ka ndryshuar 90 % me ndërhyrjet tona. Kush na garanton që puna që kemi bërë nga shtatori deri më sot nuk bie poshtë? Jemi identifikuar sikur nuk duam reformën në drejtësi dhe çështja është çfarë ndodh me këtë parti….

Basha: Nuk ka inkoherencë…

Bregu: Halli është për PD-në. Çdo të bëjë, do ta votojë apo jo?. Nëse nuk voton, a ka garanci që nuk na mbetet ne shuplaka?

Basha: Do të vazhdojmë përpjekjet me negociata…

Bregu: Ne e kemi me partnerët ndërkombëtarë apo me Edi Ramën? Çfarë ndodh nëse nuk votohet reforma? Të diskutojmë mbi lëvizjen politike dhe jo mbi detajet e kundërpërgjigjes…

Imami: Duhej të kishim thënë më përpara se nuk e pranojmë rolin e ndërkombëtarëve.

Basha: E vërteta është në anën tonë, ashtu si në rastin e dekriminalizimit… Venecia ka deklaruar se opozita është garancia e vetme e procesit. Ne kemi respektuar në çdo moment Komisionin e Venecias…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat