Rrezikohet takimi Rama-Basha pas bojkotit të Parlamentit nga opozita

Shqipëria

Rrezikohet takimi Rama-Basha pas bojkotit të Parlamentit nga opozita

Më: 29 maj 2016 Në ora: 09:16
Edi Rama e Lulzim Basha

Në një mbledhje jashtë radhe të Grupit Parlamentar, Partia Demokratike vendosi të bojkotojë punimet e Kuvendit për 10 ditë.

Vendimi i demokratëve ishte në shenjë solidariteti me ish-kryeministrin Berisha, i cili për shkak të gjuhës së përdorur këtë të enjte në Parlament u përjashtua 10 ditë nga Byroja e Kuvendit.

Kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka, theksoi se Partia Demokratike s’do të jetë pjesë e një parlamenti që nderon kriminelët dhe dënohen ata që denoncojnë krimin.

“Duket qartazi që kjo maxhorancë ka vendosur ose shpreson t’i mbyllë gojën opozitës. E ka gabim! Vetëm gojën s’mund të na e mbyllë kurrë.

Absolutisht, edhe sikur të dalim fare nga ai parlament, ne tashmë e kemi filluar punën tonë si deputetë me parlamentin e vërtetë, qytetarët e këtij vendi”, tha Paloka.

TAKIMI

Përjashtimi i ish-kryeministrit nga Parlamenti për një periudhë 10-ditore dhe bojkoti i PD-së mundet të jenë arsyeja e anulimit të takimit që po negociohej, Rama-Basha. Përmes një reagimi në “Facebook”, kreu i opozitës, Lulzim Basha, e ka cilësuar përjashtimin e Berishës si një manovër të dyshes Rama-Meta për t’i mbyllur çdo derë opozitës.

“Kjo është një kujtesë e pështirë e dy standardeve të kësaj maxhorance të kalbur në krime, vese dhe korrupsion. Nga njëra anë nderohet vulgu i vulgut, Sadri Abazi, që i thotë kundërshtarit ‘të pres veshin’, nga ana tjetër dënohet denoncuesi i së keqes, i aferave tronditëse, Sali Berisha.

Kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’i mbyllur derën opozitës. Për t’i mbyllur derën në Parlament, në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme. Për t’i mbyllur derën në Reformën e Drejtësisë, në reformën zgjedhore”, deklaroi Basha.

Por, sipas kreut të opozitës, shumica qeverisë po i bën llogaritë gabim sepse lënia e demokratëve jashtë një tryeze thjesht do të përshpejtojë rënien e dyshes RamaMeta. “Gabim i bëjnë llogaritë. Opozita, Partia Demokratike nuk mbetet jashtë.

Ajo është çdo ditë me shqiptarët dhe në krah të tyre, se bash aty është parlamenti i vërtetë, aty nisin dhe merren vendimet e mëdha. Duke lënë opozitën dhe demokratët jashtë një salle, jashtë një tryeze, Edi Rama dhe Ilir Meta vetëm sa thellojnë izolimin dhe përshpejtojnë rënien e tyre të pashmangshme”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat