Dallëndyshe Bici rrafshoi lokalin 1 mln euro vetëm “me një fjalë goje”

Shqipëria

Dallëndyshe Bici rrafshoi lokalin 1 mln euro vetëm “me një fjalë goje”

Më: 2 maj 2016 Në ora: 18:57

Mbrëmjen e 19 Shtatorit 2014, pronari i lokalit Ble-Alb, buzë liqenit të Ohrit në Pogradec, thirret me urgjencë nga stafi i tij. Në restorant kishin ardhur disa “të mëdhenj” nga Tirana dhe e kërkonin me urgjencë.

I mësuar me këto vizita “të papritura” të drejtuesve nga kryeqyteti, ai i ka kërkuar kuzhinierëve që të përgatisin diçka të mirë për ata, ndërkohë që po afrohej vetë për t’i dëgjuar kërkesat e tyre.

Sapo ka hyrë në lokal, ai është takuar me Dallëndyshe Bicin, Kryeinspektorja e Inspektoratatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), drejtuesin e operacioneve në këtë strukturë, Fatmir Meta, si edhe shtetasi Ergys Hoxha, punonjës i Ministrisë së Brendshme. Biseda ka nisur menjëherë e nervozuar, në të cilën zyrtarët i kanë thënë pronarit të lokalit se lokali do të prishej të nesërmen në mëngjes dhe ai duhet të merrte masat e tij. I gjendur nën një presion të momentit, pronari i lokalit është munduar të shpjegojë se ai është i pajisur me lejen përkatëse nga autoritetet shtetërore. Po ashtu, ai është munduar të shpjegojë se vlera e lokalit është rreth 1 milion euro dhe nuk mund të prishet “me një fjalë goje” dhe pa asnjë dokument.

Tashmë kjo çështje është pjesë e shqyrtimit gjyqësor në gjykatën e Pogradecit, ku Prokuroria akuzon dy drejtuesit e lartë të IKMT, Bicin dhe Metën, se kanë shpërdoruar detyrën në rastin e prishjes së lokalit “Ble-Alb”. Prokuroria duket se nuk e ka zbardhur rolin e punonjësit të Ministrisë së Brendshme, Ergys Hoxha, pasi ai përmendet vetëm shkarazi në kërkesën për gjykim, e cila disponohet e plota nga “Boldnews.al”.

Në kallëzimin e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore, pronari i lokalit “Ble-Alb”, Milto Caka tregon në mënyrë të detajuar se si iu rrënua në pak orë investimi i tij kolosal.

“Boldnews.al” e sjell në mënyrë integrale rrëfimin e tij, i cili tashmë po i kushton “kokëçarje” gjyqësore zyrtarëve më të lartë të IKMT-së.

“Në datë 19.09.2014, rreth orës 19.00, në lokalin tim janë paraqitur zonja Dallëndyshe Bici, Drejtore e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, zoti Fatmir Meta, drejtues i njësisë operacionale pranë INUK, dhe zoti Ergys Hoxha, punonjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilët më kanë thirrur në një nga tavolinat e lokalit dhe më kanë thënë: “lokali do të prishet, prandaj merr masa që të jetë i lirë”. Unë iu kam thënë atyre se lokalin e kisha me leje të rregullt dhe iu kam bërë prezent të gjithë dokumentacionin e ndërtimit, por ata nuk e morën në konsideratëe. Iu kërkova që të më jepnin një dokument me shkrim për pretendimet e tyre dhe ata, përveçse me komunikuan se në datë 20.09.2014, objekti do të prishej, nuk më kanë dhënë asnjë lloj dokumenti apo vendim për prishje. Në datë 20.09.2014, rreth orës 07.00, të tre punonjësit e sipërcituar, së bashku me disa punëtore, të cilët nuk i njihja, të pajisur me mjete pune të motorizuara, u paraqitën te lokali im dhe më thanë që të largohesha, pasi ai do të prishej. Kam këmbëngulur që ata të njiheshin me dokumentacionin që unë disponoja, si dhe të më vinin në dispozicion një dokument shkresor për prishjen e objektit. Gjithashtu kam këmbëngulur të mbahej një akt konstatimi nga ana e tyre për gjendjen e objektit, për të evidentuar nëse kishte ose jo shkelje të lejeve të dhëna për ndërtimin e shfrytëzimin e tij, por punonjësit e INUK-ut nuk pranuan që të bënin një veprim të tillë. Ata urdhëruan punëtorët që të shkatërronin objektin, shkatërrim i cili nisi menjëherë, derisa objekti u rrafshua plotësisht. Prezent aty kanë qenë edhe punonjës të Inspektoriatit Ndërtimor të qarkut Korçë, të cilët në disa raste kanë kontrolluar dokumentacionin e objektit, ku kanë konstatuar rregullsi të dokumentave të ndërtimit të tij”./Boldnews.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat