Karta e Shëndetit, shtohen sportelet për të evituar vonesat

Shqipëria

Karta e Shëndetit, shtohen sportelet për të evituar vonesat

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 11:09

Të paktën 941.954 qytetarë janë pajisur me karta shëndeti deri më datën 10 shkurt 2016. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bëri të ditur se, duke e vlerësuar procesin e pajisjes me karta shëndeti të të gjithë qytetarëve si shumë të rëndësishëm dhe si një parakusht për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, ka marrë një sërë masash në drejtim të përmirësimit të sistemit të shpërndarjes së këtyre kartave.

Në këtë kuadër, Fondi bën me dije se vetëm për periudhën 5 janar - 11 shkurt 2016, janë shpërndarë rreth 249,528 karta shëndeti, në të gjithë Shqipërinë, për të gjitha kategoritë përfituese të skemës së sigurimit shëndetësor. Ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2015 janë shpërndarë rreth 692,426 karta shëndeti.

Kategoritë që deri më tani kanë me numrin më të madh të kartave aktive të shëndetit janë fëmijët nga 0–12 muaj me 15,666 karta, fëmijët nga 1-18 vjeç me 108,550 karta, të papunë/punëkërkues me 59,928 karta, të punësuarit me 105,883 karta, studentët me 24,109 karta dhe pensionistët me 250,495 karta shëndeti aktive.

Ndërkohë, pas masave që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mori në drejtim të përmirësimit të sistemit të shpërndarjes së kartave të shëndetit, ku hapi i parë ishte shtyrja e e afatit të librezës shëndetësore deri më 30 prill 2016, tashmë janë hapur edhe një sërë sportelesh të reja në të gjithë vendin. Sipas Fondit, ato kanë ndikuar në eliminimin e radhëve të gjata dhe që qytetarët të pajisen me karta në një kohë sa më të shpejtë.

Këto masa do të vijojnë brenda një kohe shumë të shkurtër me aplikimin edhe të sistemeve të reja informatike, që parashikohet të ulin ndjeshëm kohën e pajisjes me kartë shëndeti. FSDKSH bëri të ditur se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm deri në zbatimin me sukses dhe brenda afateve kohore ligjore të këtij procesi të rëndësishëm, që do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor për qytetarët.

Avantazhi kryesor i kartës së shëndetit është se lehtëson pacientët, sidomos pensionistët apo veteranët, të cilët nuk kanë nevojë të rinovojnë periodikisht kartën, sikurse ndodh sot me librezën e shëndetit. Një pensionisti i ndodhte të shkonte dhe 3 herë në vit për të rinovuar librezën e shëndetit, pasi i konsumoheshin fletët e librezës, ndërsa karta i vlen përgjithmonë. Sipas drejtuesve të Fondit, rreth 80 për qind e përdoruesve të skemës janë pikërisht këto kategori: pensionistë dhe veteranë, pra marrja dhe përdorimi I kartës është një lehtësim i madh për ta.

Përveç kohës, pacienti kursen dhe para, pasi, ndryshe nga libreza e shëndetit, karta është falas. “Është lehtësi dhe për mjekët dhe farmacistët, pasi për çdo recetë, çdo mjeku do i duheshin mesatarisht dy minuta për të plotësuar librezën e shëndetit dhe po kështu e farmacistit. Me kartën e shëndetit, kjo kohë nuk shpenzohet më”, kanë shpjeguar drejtuesit e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Duke pasur parasysh volumin e recetave mujore, çdo mjek familjeje pritet të kursejë rreth 8 orë të plota pune në muaj, çdo farmacist që jep barnat me rimbursim, po ashtu 8 orë të plota në muaj. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, karta e shëndetit i shërben mbajtjes elektronike të të dhënave, rritjes së saktësisë së të dhënave në sistem dhe krijimit të një imazhi të ri dhe njohje të re për të gjithë problematikën e sëmundshmërisë kronike në Shqipëri.

Karta, falas 10 paketa në kardiologji dhe nefrologji

Karta e shëndetit vlen për të gjitha shërbimet që ofron skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në të gjitha subjektet të kontraktuara me Fondin. Pra, ajo është e vlefshme edhe për shërbimet që Fondi ofron edhe në sektorin privat, siç janë konkretisht paketat e shërbimeve shëndetësore spitalore.

Bëhet fjalë për 10 paketa, kryesisht të kardiologjisë dhe nefrologjisë, të cilat sot përfitohen në spitalet publike dhe private, të financuara 100 për qind nga Fondi. Identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, bëhet me anë të kartës së shëndetit, si një dokument që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar.

Vetëm përmes saj, ai përfiton shërbimet shëndetësore pa pagesë. Si e tillë, pajisja e çdo qytetari me kartën e shëndetit vlerësohet e domosdoshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe duhet evituar çdo neglizhencë dhe qytetarët duhet të paraqiten pranë pikave të shpërndarjes së tyre në qendrat shëndetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat