Rama ndan në Zharrëz të Fierit 500 leje legalizimesh: Të gjithë duhet të shërbehen në mënyrë të barabartë

Shqipëria

Rama ndan në Zharrëz të Fierit 500 leje legalizimesh: Të gjithë duhet të shërbehen në mënyrë të barabartë

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 18:01

Procesi i legalizimeve vazhdon me ritme të shpejta në të gjithë territorin e vendit. Sot përfituan lejet për banesat e tyre, 500 banorë të Zharrëzit, në Fier, një zonë që në vitet 2005-2013 nuk përfitoi asnjë leje legalizimi, pavarësisht qindra aplikimeve të banorëve të saj.

Legalizimi i këtyre banesave u realizua pas një pune intensive 18 mujore, gjatë së cilës ekspertët e ALUZNI-t punuan vazhdimisht në terren, duke realizuar matje dhe përgatitur dosjet përkatëse. Falë kësaj pune intensive u futën në proces legalizimi edhe 1 500 ndërtime që nuk ishin përfshirë në këtë proces.

“Në thelb të bashkëpunimit qëndron qeveria, është ajo që bën koordinimin midis institucioneve, për të mos krijuar probleme dhe që të mos ketë mospërputhje”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i ALUZNI-t, Artan Lame.

Gjatë shpërndarjes së çertifikatave të legalizimit në Zharrëz, Kryeministrit Edi Rama tha se “ ne e kemi treguar që ditën e parë dhe do të vazhdojmë ta tregojmë përditë se në procesin e legalizimit dhe në çdo proces tjetër, që drejtohet dhe është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, ne nuk bëjmë dallime në tanët dhe të atyre. Të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe banojnë në këtë vend kanë të drejta të barabarta dhe duhet të shërbehen në mënyrë të barabartë”.

“Sot jemi këtu në Zharrëz, një ish-komunë e rëndësishme dhe si në Zharrëz, si në Ruzhdie, – në Ruzhdien e famshme ku i kanë marrë votat sa herë kanë dashur dhe si kanë dashur, – nuk kanë dhënë asnjë leje legalizimi. Zero! Ruzhdies thjesht i merrnin votat, por shërbimet nuk ia bënin, njësoj si Bathores, njësoj si të gjitha zonave ku thoshin ne këta i kemi në xhep, por po t’u japim lejet e legalizimi, po t’u bëjmë rrugët, po t’u vëmë edhe drita, kushedi iu rritet mendja dhe nuk vijnë më pas nesh, ndaj më mirë i lëmë në derexhenë më të keqe dhe kështu i mbajmë në ajër, me dy gishta”, deklaroi shefi i qeverisë.

Sipas tij, “në tetë vjet të qeverisë së vjetër u dhanë vetëm 234 leje dhe fatkeqësia edhe më e madhe është që në këto 234 leje, pjesa dërrmuese nuk ishin shtëpi, por ishin godina ekonomike, siç u bë pjesa dërrmuese e 21 mijë lejeve të legalizimit që dha gjithsej në tetë vjet Partia Demokratike”. Ndërkohë theksoi Rama, që në vetëm një vit punë intensive me legalizimet, ne kemi bërë deri tani 42 mijë dhe pjesa dërmuese, mos them 100%, janë shtëpi.

Duke u ndalur te akuzat e opozitës për shëndetësinë, Rama shtoi se “thonë po ashtu, që kontrolli bazë mjekësor falas është një korrupsion dhe një farsë, ndërkohë janë dhjetëra mijëra shqiptarë që po e përfitojnë çdo muaj, pra, do të thotë se janë shqiptarë që kanë sy dhe kanë vesh dhe pavarësisht se me kë janë, le ta bëjnë vetë dallimin. Edhe ata që nuk janë me partinë që sot drejton qeverinë, le ta bëjnë dallimin; Janë të vërteta apo janë të pavërteta kontrollet, analizat, shërbimi, cilësia dhe me radhë. E kështu mund të themi për shumëçka tjetër.

Në vetëm dy vjet, në të gjithë Shqipërinë janë akorduar më shumë se 42 mijë leje legalizimesh, 8 mijë vetëm në Qarkun e Fierit, ndërsa procesi vazhdon pa ndërprerje. Legalizimet ishin një nga angazhimet kryesore edhe të qeverisë së kaluar, por vetëm 21 mijë objekte u legalizuan në tetë vjet në gjithë vendin dhe shumica dërrmuese e këtyre objekteve nuk ishin shtëpi, por lokale dhe njësi të tjera ekonomike.

Në takimin e Zharrëzit ishte i pranishëm edhe deputeti i Qarkut të Fierit, Gramoz Ruçi, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat