Përmirësohet situata hidrike. KESH rifillon eksportin i energjisë, por me çmime minimale

Shqipëria

Përmirësohet situata hidrike. KESH rifillon eksportin i energjisë, por me çmime minimale

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 16:25

Reshjet masive gjatë ditëve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në kaskadën e Drinit duke i mundësuar KESH të rinis eksportin e energjisë elektrike. Të dhënat zyrtare nga Korporata tregojnë se rezerva energjetike e akumuluar në basenet e Kaskadës është rreth 1153.4 Giga Wat. Sipas KESH, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka mbërritur në 290.74 metër mbi nivelin e detit ose 6 metër nën pikën maksimale, ndërsa prurjet llogariten në 500 metër kub në sekondë.

KESH bën të ditur se është duke prodhuar me kapacitet maksimal nga të tre hidrocentralet e Kaskadës për të ruajtur nivelin e baseneve sipas parashikimeve të rregullores. Sipas saj, aktualisht prodhimi ditor i energjisë ka arritur në 19 milionë kilovat orë.

Eksporti

Për muajin Shkurt, KESH po plotëson gjithë kërkesën e tregut të rregulluar të vendit, përfshirë humbjet në rrjetin e shpërndarjes sipas një marrëveshje të posaçme me OSHEE-në. Por veç plotësimit të konsumit vendas, Korporata bën të ditur se ka rifilluar eksportin e energjisë.

“Energjinë shtesë të prodhuar në kushtet e prurjeve të mëdha hidrike, rreth 41.9 milionë kilovat orë për periudhën 13-20 shkurt, KESH e ka shitur në tregun e parregulluar. Kjo ka krijuar të ardhura shtesë prej 1.04 mln euro,” thuhet në njoftimin zyrtar të Korporatës. Çmimi mesatar i ponderuar për sasinë e shitur për 8 ditët në vijim rezulton 24.70 Euro për mega.

KESH thotë se ky çmim është në përputhje me parashikimet e bursës hungareze, ku gjatë gjithë muajit shkurt çmimi i energjisë elektrike pritet të jetë i ulët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat