Zgjedhjet në PS/Blushi: Rama po emëron delegatët, bukuroshët e Saliut do na vijnë në Kongres

Shqipëria

Zgjedhjet në PS/Blushi: Rama po emëron delegatët, bukuroshët e Saliut do na vijnë në Kongres

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 14:12

Deputeti socialist Ben Blushi akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po emëron delegatët për Kongresin e PS-së, që do të mbahet më 19 Mars. Blushi ka monitoruar procesin e zgjedhjeve në Qarkun e Elbasanit, nga ku është shprehur se anëtarësia nuk po zgjedh delegatë, pasi ato janë emëruar nga Rama. Deputeti socialist shprehu kritika për mënyrën e zgjedhjes së delegetëve, ndërsa i cilësoi zgjedhjet jo të rregullta pasi nuk janë organizuar nga koordinatorët e mandatuar ta bëjnë këtë gjë.

“Nuk ka votim alternativë. Delegatët janë njerëz të emëruar. Edi Rama me deputetët e vet, për fat të keq, me disa prej tyre po emëron delegatët e këtij kongresi. Ky është thelbi. Delegatët kongresit të 19 Marsit janë duke u emëruar dhe nuk janë duke u zgjedhur”, tha Blushi. Ai solli një shembull nga Elbasani, ku delegat në Kongres është zgjedhur një ish-deputet i PS-së që në 2007 votoi kandidatin për President, të përzgjedhur nga Sali Berisha.

“I mbani mend 6-të deputetë të PS shkuan e votuan për presidencën Saliun. Ky është një nga delegatët e 19 Marsit. Kjo është tërësisht imorale. Ne e përjashtuam në 2007, Edi Rama e riktheu për favore që nuk ia njohim dhe sot e ka bërë kreytar të këshillit të qarkut duke i dhënë luksin të jetë delegate direkt në Kongres mandje të mos votohet nga anëtarësia. Kjo është e papranueshme. Bukuroshët e Saliut po vijnë delegate për të votuar Edi Ramën në kongres. Kjo është çështja”, theksoi Blushi. Duke komentuar shprehjen e Ramës, i cili referuar kritikave tha “qentë le të lehin karvani të shkojë përpara”, Blushi u shpreh se këtë shprehje e kam dëgjuar nga Enver Hoxha. “Nëse Edi Rama vazhdon citon Enver Hoxhën dhe vepron si Sali Berisha i bie të jetë në fund të karvanit”, tha Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat