MTI: PD e përdori për fushatë; në 2014-2015 përfunduan 200 km rrugë të reja

Shqipëria

MTI: PD e përdori për fushatë; në 2014-2015 përfunduan 200 km rrugë të reja

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 19:48

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës hodhi poshtë të shtunën deklaratat e opozitës për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan, që akuzojnë se “qeveria mban peng ndërtimin e autostradës”.

“Projekti i rrugës Tiranë- Elbasan, ndonëse shumë i rëndësishëm për banorët e Elbasanit dhe të gjithë juglindjes, është projekti me tipik i përdorimit, për qëllime elektorale të një vepre që bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptare. Projekti i kësaj vepre, u modifikua disa herë, në dëm të cilësisë e standarteve, për të fituar kohë e për të arritur inagurimin përpara zgjedhjeve të 2013-tës. Dhe kostot jemi të detyruar t’i paguajmë sot, për parregullsi ligjore, për mungesë projektesh gjeologjike, për fatura të mëdha financiare, si pasojë e disa shkarjeve të mëdha të masivit shkëmbor përgjatë kësaj rruge”, tha Këshilltari i MTI-së, Arbër Hitaj, gjatë një deklarate për mediat.

Hitaj shpjegoi se është ndërhyrë në projektin teknik, për të ruajtur zonat turistike të vendit, siç ishte ai i rrugës Lin –Pogradec.” “Sindroma e cilësisë së ulët të projekteve të infrastrukturës është mjaft e përhapur në gjithë çka është ndërtuar në vitet e kaluara. Përballemi çdo vit me kosto të jashtëzakonshme të përfundimit të veprave, siç është fatura prej 100 milion eurosh për Rrugën e Kombit, apo ajo prej mbi 200 milion eurosh për Rrugën e Arbrit, për mirëmbajtje e riparime të paparashikuara, si ajo e rrugës Elbasan – Librazhd apo Milot –Rrëshen. I shtohet kësaj, borxhi i madh prej mbi 120 milionë euro, lënë në kurriz firmave ndërtuese, dhe gropa e madhe prej 80 milionë euro në dëme, e krijuar nga mungesa e investimit në mirëmbajtje. Për të mos folur pastaj për bilancin katastrofal të sigurisë së trashëguar në rrugë, që merrte çdo ditë jetën e një qytetari”, u shpreh ai.

Hitaj tha se, 200 km rrugë të reja kanë përfunduar vetëm gjatë viteve 2014-2015, ndërsa shprehu angazhimin e MTI-së për përfundimin me standarde e cilësi të projekteve të rëndësishme për vendin, rajonin dhe rrjetin evropian të infrastrukturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat