Rrëshqitja e dheut, bashkia padit ndërtuesin dhe ish-kryetarin e komunës

Shqipëria

Rrëshqitja e dheut, bashkia padit ndërtuesin dhe ish-kryetarin e komunës

Më: 28 nëntor 2015 Në ora: 16:12

Bashkia e Tiranës ka nisur ndjekjen penale ndaj ndërtuesit të objektit ku sot pati rrëshqitje toke në Kopshtin Botanik.

Për probleme që lidhen me dhënien e lejes së ndërtimit duke mos u marrë masat e duhura për kryerjen e punimeve, si dhe ndjekjen e punimeve nga ana e autoriteteve vendore, bashkia ka nisur gjithashtu ndjekjen penale ndaj ish-kryetarit të komunës Farkë, Fatbardh Plaku, i zgjedhur si përfaqësues i Partisë Demokratike.
"Pas raportimit të ngjarjes, Bashkia e Tiranës është vënë në lëvizje duke u angazhuar në evakuimin e banorëve të rrezikuar nga rrëshqitja e dheut. Në vendngjarje kanë shkuar dhe punonjës të Policisë Bashkiake të cilët po ndihmojnë në marrjen e masave që të mos ketë pasoja për njerëzit që banojnë në këtë zonë. Po kështu drejtues të njësisë administrative Farkë dhe ekspertë të Bashkisë së Tiranës janë në vendngjarje për të mbikëqyrur situatën dhe për të bashkëpunuar me strukturat shtetërore për minimizimin e dëmeve dhe për të mbajtur situatën nën kontroll", bën me dije bashkia e kryeqytetit me një komunikatë për media.

(13:42) Rrëshqitje dherash, pallati rrezikon shembjen

Një pallat në zonën e kopshtit Botanik në Tiranë rrezikon shembjen, pas gërmimeve të bëra nga një firmë ndërtimi, ngjitur me pallatin.

Si pasojë e situatës alarmante, rreth 20 familje që banojnë në këtë pallat janë evakuuar, proces ky që ka filluar nga mbrëmja e djeshme.

Sipas të dhënave të para, aktualisht në vendngjarje ndodhen forca të policisë së shtetit, asaj bashkiake, mjete të zjarrfikëses dhe autoambulanca.

Gjithashtu, punonjës të OSHEE-së po kryejnë shkëputjen e energjisë elektrike nga godina e pallatit.

Prefektura e Tiranës ka ngritur posaçërisht shtabin e emergjencës. Përfaqësuesi i Prefekturës, Klajdi Nikolla i pranishëm në vendngjarje, tha për “News24” se, “janë marrë të gjitha masat për evitimin e çdo tragjedie të mundshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat