Xhon Kerry tur vizitash në Europë dhe Rajon, por jo në Shqipëri/A e ka humbur Tirana vëmendjen e Uashingtonit?

Shqipëria

Xhon Kerry tur vizitash në Europë dhe Rajon, por jo në Shqipëri/A e ka humbur Tirana vëmendjen e Uashingtonit?

Nga: Gjergj Koja Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 13:11

Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry ka parashikuar një tur vizitash në Europë dhe Ballkan duke nisur nga nga 1 dhjetori, ndërsa ka lënë jashtë agjendës së takimeve Shqipërinë. Diksutimet e Sekretarit amerikan të Shtetit me zyrtarët më të lartë europianë apo të vendeve të rajonit do të përfshijnë situatat në rajon apo më gjerë, ndërsa turi i takimeve do të nisë me Brukselin. Në 2 dhjetor, Kerry do të vizitojë Kosovën e Serbinë, ndërsa në 3 dhjetor do të udhëtojë drejt Qipros. Në 4 Dhjetor, Sekretari amerikan i Shtetit do të takohet në Athinë me kryeministrin grek Aleksis Tsipras. Referuar agjendës së takimeve të zyrtarit të lartë amerikan, duket se Shqipëria është lënë jashtë vëmendjes së SHBA-ve.

Gazetari i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, e sheh me shqetësim qasjen e Shteteve Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë vitet e fundit.

I pranishëm në një konferencë të thirrur në Tiranë për 25 vjetorin e pluralizmit, Biberaj u shpreh se Shqipëria nuk është më partner jetik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ka kaluar në një vëmendje periferike.

Sipas tij, Uashingtoni është i lodhur me një klasë politike që vendos interesat e veta mbi ato të vendit, ndaj dhe shanset për Shqipërinë nuk do jenë më si ato të viteve '90. “Bashkësia ndërkombëtare e angazhuar sot në cështje më urgjente se Shqipëria, nuk pritet të jetë më aq e gatshme për të ndihmuar nëse udhëheqësit në Tiranë perceptohen si të korruptuar, të përçarë dhe me një angazhim të dyshimtë ndaj Shqipërisë. Prandaj udhëheqësit shqiptarë duhet të jenë të ndërgjegjshëm nga rreziku i një lodhjeje me Shqipërinë”, tha Biberaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat