Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës jep dorëheqjen

Shqipëria

Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës jep dorëheqjen

Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 20:58

Arben Beqiraj, nënkryetar i Bashkisë së Vlorës për Komunikimin dhe Shërbimet mbështetëse, dha sot dorëheqjen nga detyra, të cilën e ushtronte prej vitesh.

Në tekstin e aktit të dorëheqjes që ja dorëzoi kryebashkiakut, Dritan Leli, ai e motivon këtë veprim me mungesën e plotë të bashkëpunimit me kreun e këtij institucioni, në zyrën e të cilit, sipas Beqirajt, nuk kishte hyrë asnjëherë gjatë këtyre katër muajve muajve.

“Duke menduar se drejtimi i institucionit të Bashkisë kërkon një nivel më të gjerë dhe më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes strukturave vendimmarrëse dhe zbatuese, paraqes dorëheqjen time të parevokueshme si Nënkryetar i Bashkisë Vlorë për Komunikimin dhe Shërbimet Mbështetëse”, shprehet mes të tjerash Beqiraj, i cili shton se, shpreson që, ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për realizimin me sukses të Reformës Administrativo-Territoriale dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në funksion të saj.

Arben Beqiraj ishte pjesë e stafit të ish kryebashkiakut, Shpëtim Gjika, qysh në vitin 2003 me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Vlorës, fillimisht si shef i kabinetit dhe më pas, si nënkryetar për komunikimin dhe shërbimet mbështetëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat