Përmbytjet, Ministria e Brendshme publikon situatën në zonat e prekura

Shqipëria

Përmbytjet, Ministria e Brendshme publikon situatën në zonat e prekura

Nga: Gjergj Koja Më: 12 tetor 2015 Në ora: 16:56

Situata aktuale në zonat që kanë pasur përmbytje apo probleme të tjera të shkaktuara nga rreshjet, është në përmirësim si rezultat i ndërhyrjes së forcave dhe mjeteve në terren, vendosjes në punë të hidrovoreve dhe lehtësimit të kushteve të motit.

Shtabet e Emergjencave Civile në Prefektura kanë marrë masat për stabilizimin e gjendjes dhe evakuimin e banorëve që mund të rrezikohen nga uji.

Njëkohësisht Komisionet e posaçme të pushtetit vendor po bëjnë vlerësimet përkatëse për dëmet e shkaktuara. Në banesat e përmbytura po punohet për largimin e ujit dhe mbajtjen e gjendjes nën kontroll.

Bazuar në informacionet e dërguara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, situata më problematike paraqitet:

Qarku Vlorë – Në krahasim me ditën e diel, situata aktualisht është pa reshje dhe më e qetë. Në terren po punojnë 165 forca nga të gjitha strukturat e specializuara, të mbështetura nga 21 mjete (fadroma, ekskavatorë, automjete zjarrfikëse, autobote, autoambulancë, pompa thithëse, etj).

Rruga pranë Kishës Ortodokse në lagjen ‘’24 Maji’’ është bllokuar nga uji dhe po punohet me motor-pompa për heqjen e tij.

Komisioni i Emergjencave Civile pranë Prefekturës po ndjek dhe vlerëson situatën në vazhdim.

Qarku Fier – Angazhimi i forcave dhe mjeteve ne terren ka lehtësuar situatën e shkaktuar nga përmbytjet dhe daljen nga shtrati të lumit Gjanica.

Numri i përgjithshëm i forcave në terren është 174 (48 nga Bordi i Kullimit, 24 nga
PMNZSH-ja, 90 nga bashkia Fier dhe 12 nga OSHEE).

Ndërsa mjetet e vëna në dispocion nga të gjitha institucionet e angazhuara janë të shumta ku përfshihen edhe 6 fadroma, 4 autoambulanca, disa kamione, mjete lundrimi, mjete të PMNZSH etj.

Puna është përqendruar në nxjerrjen e ujit nga banesat, ndërsa grupet e Bashkisë po
punojnë për evidentimin e dëmeve në terren.

Qarku Elbasan - Problemet kryesore në këtë qark janë në aksin rrugor Banjë -Gramsh, i cili ende është i bllokuar në disa segmente nga uji dhe për këtë shkak qarkullimi është devijuar në rrugën Gramsh – Tregan – Elbasan.

Përroi i Zaranikës ka rënie të nivelit të ujërave, por ka çarje të argjinaturës që nga
pasditja e djeshme dhe po punohet për rehabilitimin e saj.

Është shembur muri mbajtës i rrugës nacionale Labinot-Fushë – Monumenti që lidh fshatrat e zonës Labinot Mal me Labinot-Fushë.
Grupet e pushtetit lokal po punojnë për evidentimin e dëmeve në terren.

Qarku Korçë – Pas problemeve të ditës së djeshme, gjendje sot paraqitet më e qetë
dhe nën kontrollin e forcave të specializuara në terren.

Si rezultat i ndërhyrjes së mjeteve të rënda, është mundësuar çelja e segmenteve rrugore të bllokuara nga aluvionet apo rënia e dherave.

Komisioni i Emergjencave Civile ndjek dhe vlerëson situatën në vazhdim.

Qarku Tiranë - Në qarkun e Tiranës ka pasur disa raste problematike, kryesisht në akset rrugore siç janë bllokimi i përkohshëm i rrugës në Ibë, shembja e një ure në fshatin Qeha në Petrelë si dhe rrëshqitja e një mase dheu në një kantier ndërtimi pranë një pallati në rrugën “Karl Gega” në Tiranë.

Si rezultat i ndërhyrjeve, gjendja është normalizuar dhe mbahet në kontroll në pikat ku paraqet potencialisht rrezik.

Grupet e bashkisë po punojnë për evidentimin e dëmeve në terren.

Qarqet e tjera kanë një gjendje më pak problematike ndërsa komisionet e Emergjencave Civile në Prefektura ndjekin situatat në vazhdimësi, duke koordinuar punën ndërmjet strukturave operacionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat