PD: Tenderi i OSHEE, ja si iu dyfishua shuma mikut të Edi Ramës

Shqipëria

PD: Tenderi i OSHEE, ja si iu dyfishua shuma mikut të Edi Ramës

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 14:54

Partia Demokratike i është rikthyer edhe njëherë tenderit për rikonstruksionin e godinës së OSHEE, që sipas demokratëve është fituar nga biznesmeni që ka ndërtuar sarajet e Kryeministrit Edi Rama. Zëdhënësja e PD, Orjela Nebijaj, tha se korrupsionin me paratë e OSHEE, paratë e gjakut të shqiptarëve, e bën edhe më skandaloz shuma e madhe e vënë në dispozicion për rikonstruksionin e godinës.
“Siç tregojnë të dhënat, OSHEE ka vënë në shërbim të mikut të Edi Ramës, ndërtuesin e sarajeve të tij në Surrel, gati dyfishin e shumës që nevojitet për punën. Këtë e vërteton më së miri ofertuesi i dytë, i skualifikuar, i cili merr përsipër të kryejë rikonstruksionin me shumën 3 miliardë e 800 milionë lekë, ku përfshihet sigurisht dhe fitimi i tij, ndërkohë që kryehajduti i OSHEE ka ndarë që në fillim 5 miliardë lekë për këtë aferë. 5 miliardë lekë të marra me kërbaç, me burg, e që u kanë kushtuar jetën shumë bashkqytetarëve tanë. Pikërisht kjo shumë e madhe i jepet fituesit të paracaktuar, mikut të Edi Ramës, i cili ka bërë ofertën me 740 milionë lekë më të lartë se subjekti i skualifikuar”, tha Zëdhënësja e PD.
Sipas saj, ky është një korrupsion i neveritshëm, i ngjizur që në krye si zhvajtje e parave të qytetarëve për tia dhënë ndërtuesit personal të Edi Ramës.
“Qytetarët që po dhunohen çdo ditë për një kupton, që përfundojnë në burg e në errësirë nga OSHEE e bandat e tjera të qeverisë, po shohin se çfarë ndodh me paratë e tyre, me taksat e tyre. Ato trajtohen si plaçkë e ndahen sipas interesave të Edi Ramës, i cili vendos për çdo tender, duke përcaktuar në fillim fituesin. Partia Demokratike angazhohet se bashkë me qytetarët do të vendosë para ligjit dhe para përgjegjësisë abuzuesit e zhvatësit e parave publike”, thuhet në deklaratën e PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat