Debate në Grupin e PD/Genc Ruli largohet nga mbledhja, i kërkon Bashës të shkarkojë kryetarët humbës në rrethe

Shqipëria

Debate në Grupin e PD/Genc Ruli largohet nga mbledhja, i kërkon Bashës të shkarkojë kryetarët humbës në rrethe

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 17:35

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate, aq sa deputeti Genc Ruli mësohet se është larguar përpara se ajo të përfundojë. Shkak i debateve mësohet se ka qenë raport-analiza, e cila u prezantua në mbledhjen e Kryesisë së PD-së pak ditë më parë.

Burime nga PD theksojnë se në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, disa nga ligjvënësit demokratë kërkuan nga Basha të shprehej qartë në lidhje me përgjegjësitë për humbjen në zgjedhje, ndërsa kërkuan penalitete deri në shkarkimin nga postet që mbajnë të kryetarëve të degëve, të cilët rezultojnë që të kenë marrë një rezultat më të dobët në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit krahasuar kjo me zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit 2013. Burimet theksojnë se më i ashpër në këtë qëndrim ka qenë deputeti Genc Ruli, i cili ka kërkuar nga Basha që të jetë më i prerë në qëndrimin e tij në lidhje me përgjegjësit e humbjes. Por mësohet se kreu demokrat ka ruajtur tone të zbutura duke premtuar analizë të thelluar për secilën nga degët e PD-së në rrethe apo në Tiranë.

Tonet e Bashës duket se nuk i kanë pëlqyer deputeti Ruli, i cili ka vendosur të largohet nga mbledhja. Ndërkohë një tjetër debat ka qenë ai mes Kreut të deputetëve demokratë Edi Paloka dhe deputetes Majlinda Bregu.

Shkak për debatin mes dy deputetëve demokratë janë bërë qëndrimet e kundërta të tyre në lidhje me debatin që duhet të zhvillohet në parti dhe nëse ky debat i shërben PD apo jo. Burimet nga Grupi Parlamentar theksojnë se deputetja Bregu e ka cilësuar debatin si një vlerë të shtuar, ndërsa Paloka i ka qëndruar mendimit se debatet në këtë fazë nuk i shërbejnë PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat