Armando Prenga drejt përjashtimit nga PS/Xhacka: Se meriton të jetë në grupin tonë. Prokuroria të mos harrojë Berishën e Bashën

Shqipëria

Armando Prenga drejt përjashtimit nga PS/Xhacka: Se meriton të jetë në grupin tonë. Prokuroria të mos harrojë Berishën e Bashën

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 15:03

Deputeti Armando Prenga drejt përjashtimit nga PS. Në një deklaratë për median nga selia e PS-së, pak pasi policia e shtetit zyrtarizoi arrestimin, deputetja Olta Xhaçka tha se Partia Socialiste nuk është strehë ku mund të gjejë mbrojtje nga agjencitë ligjzbatuese cilido që shkel ligjin.
Si shkelës i këtyre normave Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste, ndërsa si i dyshuar nga Policia e Shtetit për shkeljen e ligjit ai duhet të japë llogari përpara drejtësisë për çdo akuzë që rëndon mbi të”
Duke i thirrje prokurorisë që të mos ndalet deri në zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të veprave penale të konsumuara në katrahurën e Laçit, PS i kërkon të gjejë forcën morale dhe profesionale të hetojë deri në fund edhe Lulzim Bashën apo Sali Berishën veprat penale të të cilëve janë konsumuar ditën për diell, si edhe një sërë ministrash apo ofiqarësh të qeverisë Berisha, dosjet e të cilëve duhet të dalin nga sirtarët e prokurorisë.

Deklarata e plotë e PS

Partia Socialiste dënon me forcën më të madhe sjelljet dhe veprimet që ishin pjesë e ngjarjes së turpshme në Laç, ku i përfshirë rezulton të ketë qenë edhe deputeti Armando Prenga. Me përgjegjësinë e plotë politike dhe publike Partia Socialiste dhe qeveria jonë e kanë shpallur të mbyllur kapitullin e shëmtuar të historisë së pandëshkueshmërisë, qysh në ditën e parë të mandatit tonë qeverisës.
Po ashtu për çdo anëtar të partisë sonë është e qartë se Partia Socialiste nuk është strehë ku mund të gjejë mbrojtje nga agjencitë ligjzbatuese cilido që shkel ligjin.
Kjo është jo vetëm e qartë edhe për çdo deputet, po çdo deputet ka detyrë parësore ta mbrojë dhe promovojë me fjalë, sjellje dhe veprime, faktin se kultura e pandëshkueshmërisë që Sali Berisha ngriti në sistem për familjen dhe klanin e tij politik, ka vdekur bashkë me pushtetin e tij vrastar e të korruptuar.
Ja pse Partia Socialiste e dënon me ashpërsinë më të madhe si plotësisht të papajtueshme me kulturën e saj të ligjit dhe me normat e veta të bashkëjetesës, përfshirjen e Armando Prengës në këtë ngjarje.
Si shkelës i këtyre normave Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste, ndërsa si i dyshuar nga Policia e Shtetit për shkeljen e ligjit ai duhet të japë llogari përpara drejtësisë për çdo akuzë që rëndon mbi të.
Në emër të Partisë Socialiste përshëndes Policinë e Shtetit për një tjetër prove bindëse të standartit të ri moral dhe profesional që ka vendosur në 21 muajt e fundit. Sepse me ndalimin, pa asnjë lloj dallimi, të asnjë natyre, të kujtdo që u gjet i përfshirë në këtë ngjarje të shëmtuar, Policia e Shtetit tregoi qartë se forca e ligjit është për të mbi çdo forcë politike apo imunitet politik.
Nga ana tjetër dy fjalë edhe për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, që prej kohësh duhet të kishin dhënë llogari përpara organeve të drejtësisë për shumë më tepër shkelje të ligjit, se sa ato prej të cilave duan sot të nxjerrin kapital politik.
Lulzim Basha ka ende, jo një, por disa akuza me të cilat duhet të përballet.
Mbi Lulzim Bashën peshon akuza e mbetur pezull e vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm në 21 Janar, në mes të bulevardit, kur ai shërbente si Ministër i Brendshëm i Sali Berishës.
Mbi Lulëzim Bashën peshon akuza e mbetur pezull e grabitjes në bashkëpunim të qindra milionë eurove nga ndërtimi i rrugës Durrës -Kukës. Pa llogaritur më shumë, po vetëm këto dy çështje, mjaftojnë që Lulëzim Basha të konsiderohet jo vetëm subjekt po edhe objekt i dekriminalizimit që e kërkon me kaq forcë.
Prandaj siç i bëjmë sot thirrje prokurorisë që të mos ndalet deri në zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të veprave penale të konsumuara në katrahurën e Laçit, të gjejë forcën morale dhe profesionale të hetojë deri në fund edhe Lulzim Bashën apo Sali Berishën veprat penale të të cilëve janë konsumuar ditën për diell, si edhe një sërë ministrash apo ofiqarësh të qeverisë Berisha, dosjet e të cilëve duhet të dalin nga sirtarët e prokurorisë.
Megjithatë kjo është dita për të përsëritur se në pritje të ndëshkimeve të plota për krimet e veprat penale të së shkuarës së afërt, çdo krim dhe vepër penale e të sotmes nuk amnistohet më nga Policia e SHTETIT si deri dje.
Lejomëni ta mbyll me lajmin e mirë të përsëritur edhe sot, se koha kur bodigardët e Çunit të Kryeministrit plagosnin me plumb kamarierë në mes të lokalit dhe policia u mbyllte gojën dëshmitarëve, apo kur nipat e kryeministrit punonjës policie shkrehnin kallashnikovët të dehur në mes të bulevardit, dhe axha kryeministër i fshihte në kryeministri derisa policia të bënte letrat, ka vdekur e nuk ka shans të rikthehet

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat