Akuzat për lidhje me trafikun e drogës/Ministria e Brendshme: PD bëhet palë me një person në kërkim

Shqipëria

Akuzat për lidhje me trafikun e drogës/Ministria e Brendshme: PD bëhet palë me një person në kërkim

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 17:37

Ministria e Brendshme iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike mbi trafikun e drogës, ndërsa theksoi se bashkë me Policinë e Shtetit në 2 vitet e fundit kanë arritur rezultate të pamenduara në luftën kundër narkotikëve. Sipas Ministrisë së Brendshme është çrrënjosur njëherë e mirë koncepti i zonave të paprekshme, që për vite me rradhë ishin kthyer në “parajsa” të lulëzimit të hashashit me bekimin e pushtetit të kaluar.

“Nëse i konsideron vetëm disa rrënjë, mbi 630 mijë bimët e kanabisit të asgjësuara vetëm këtë vit nga Policia, në operacione nga Tropoja e Dukagjini e deri në Tepelenë e Korçë, ky është një problem të cilin nuk ia zgjidhim dot opozitës. E vetmja trashëgimi e Qeverisë së kaluar, ishin hartat me fotografitë e ofruara nga Policia italiane për mijëra parcela droge anë e mbarë vendit, për të cilat nuk ishte lëvizur as gishti për t’i shkatërruar.

Sukseset e sotme të Policisë në luftën kundër drogës dhe krimit, tregojnë jo vetëm vullnetin e Qeverisë për të shënuar rezultate që qeveria e kaluar as i imagjinonte, por njëkohësisht tregon sa edhe sa të korruptuar, përtacë dhe protektorë të krimit kanë qënë ‎ata që e drejtonin deri dje Qeverinë, MB dhe Policinë e Shtetit.

Shprehim jo pa keqardhje faktin, që Partia kryesore e opozitës të shndërrohet në një zëdhënëse të një ish-zyrtari të shpallur në kërkim, i cili po gjykohet për dekonspirim të aksioneve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ishte në detyrë.

Ky nivel mund të jetë i denjë për lexuesin e saj, por nuk mund të jetë qëndrimi i opozitës, që zgjedh të bëhet palë me një person në kërkim, të arrestuar për dekonsipirim të aksioneve të policisë, dhe refuzon të mbështesë, qoftë edhe me heshtje, punën e madhe të Policisë dhe partnerëve në luftën e përditshme kundër krimit, paligjshmërisë dhe informalitetit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat