Në gjyq për “Skënderbeun”, familjarët e skulptorit padi ndaj shtetit

Shqipëria

Në gjyq për “Skënderbeun”, familjarët e skulptorit padi ndaj shtetit

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 16:56

Monumenti i heroit kombëtar, Skënderbeu, në qendër të Tiranës mund të jetë një veprat më të fotografuara të kryeqytetit, si nga turistët e huaj, por edhe nga qytetarët e gjithë vendit.

Por përdorimi i imazhit të monumentit në pasaportën biometrike pa marrë lejen e trashëgimtarëve të skulptorit të popullit, Odhise Paskali, ka hapur një proces në Gjykatën Civile.

Siç raporton TCH, vajza e skulptorit, Floriana Paskali, kërkon dëmshpërblim nga shteti shqiptar me kërkesë-padinë kundër Ministrisë së Brendshme, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave.

Paditësja pretendon se riprodhimi i veprës në formë grafike, e cila e përdorur në pasaportat biometrike, u është shitur shtetasve shqiptarë, ka shkelur të drejtën e autorit.

“Kjo vepër artistike është riprodhuar në pasaportat biometrike. Nuk është marrë leja e trashëgimtarëve dhe kanë të drejtë tashmë të përfitojnë dëmshpërblimin përkatës, pasi e drejta e autorit mbrohet deri në 70 vjet pas vdekjes. E drejta e autorit mbrohet me ligj”, sqaron për TCH avokati i palës paditëse, Thimio Kondi.

“Ligji e përcakton qartë ku lejohet dhe ku jo përdorimi i një vepre artistike. Nëse bën një foto dhe e vendos në ambient personal, nuk ka problem. Por, nëse nga kjo foto nxjerr fitime, kemi shkelje të së drejtës së autorit. Në këto raste, duhet leja e autorit apo trashëgimtarëve”, thotë ai.

Lidhur me këtë padi, gjyqtarja e çështjes i ka lënë kohë Avokaturës së Shtetit të jetë e pranishme në seancën e radhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat