Veliaj: Tirana, kryeqyteti më i ndotur në rajon

Shqipëria

Veliaj: Tirana, kryeqyteti më i ndotur në rajon

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 11:51

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me anëtarët e shoqërisë civile. Në këtë takim ai theksoi edhe njëherë se gjobat mund të jenë më të rëndat në rajon për ndotjen e kryeqytetit, pasi Tirana është kryeqyteti më i ndotur.

Në fjalën e tij kryetari i bashkisë tha: “Politika ka shumë nevojë për idetë dhe nismat e shoqërisë civile. Në këtë kontekst duhet ta shikojmë njëri-­tjetrin si partnerë. Për shumë prej jush që po inkurajojnë ligjin për vullnetarizmin, beteja më e madhe është ajo me mentalitetin. Për këdo që mendon se në kapitalizëm nuk ka nevojë për vullnetarizëm mjaftojnë të shikojnë vendet e zhvilluara, atje ku ka më shumë vullnetarizëm”.

Veliaj tha se çështja e pastrimit në qytet është marrë shumë seriozisht, duke shtuar: “Besoj që ata që kanë lindur në komunizëm e dinë se varfëria nuk tregon mungesë higjiene. Prandaj ne jemi një qytet që duhet të fillojë të punojë, pasi procesi i pastrimit është shumë larg ambicieve tona, por besoj se është shumë më ndryshe se 4 javë më parë”,.

Sipas tij, “monopolin e pastrimit nuk e ka bashkia e ka e gjithë shoqëria. Veliaj ka ftuar qytetarët të jenë pjesë e aksionit vullnetarë të pastrimit të Tiranës më 4 shtator duke theksuar se partneriteti me shoqërinë civile është ndër më të rëndësishmit për të bërë të mundur pastrimin e qytetit.

“Kjo është arsyeja që ne kemi marrë disa masa dhe kemi vendosur disa gjoba të rënda, se jemi vendi më i ndotur në rajon. Do doja t’ju kisha në krah në aksionin e 4 shtatorit për të treguar se jemi një qytet që bie por që edhe ngrihet bashkë. Do doja të ishit pjesë e këtij operacioni, të bëheshit pjesë e këtij aksioni për të pastruar Tiranën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat