Cani: Nuk tolerojmë informalitetin me kompanitë minerare. Kemi identifikuar problematikat për sektorin

Shqipëria

Cani: Nuk tolerojmë informalitetin me kompanitë minerare. Kemi identifikuar problematikat për sektorin

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 14:52

Qeveria shqiptare është angazhuar prej kohësh në hartimin e një strategjie ndaj luftës së informalitetit dhe në 1 shtator do të fillojë zbatimi në terren i kësaj reforme, në mënyrë që të shkëputemi njëherë e mirë ndaj niveleve të papranueshme të evazionit. Kështu u shpreh ministri i Financave Shkëlqim Cani gjatë një takimi të zhvilluar me kompanitë minerare që zhvillojnë aktivitetin në zonën veriore të vendit. Cani tha se informaliteti paraqitet në disa forma tek bizneset, të cilat i grupojmë në : biznese që janë tërësisht informale, të paregjistruara tek administrata tatimore, të pa licencuara etj, dhe biznese të regjistruara por që nën-deklarojnë duke paguar më pak taksa dhe tatime sesa u takon.

Nën këtë aspekt, Cani tha se janë evidentuar kategori të caktuar biznesi ku forma e informalitetit, në të dy këto kompentë është më e dukshme.

“Ne kemi deklaruar se ky aksion do të jetë frontal dhe gjithëpërfshirës, por gjithashtu kemi theksuar se ballafaqimi me informalitetin do të fillojmë tek biznesi i madh, atje ku dhe nëndeklarimi i qarkullimit është edhe më i madh. Sektori i minierave përbën një sektor që ka qënë në fokus të politikave tona fiskale për t’u zhvilluar dhe për t’u lehtësuar nga barra fiskale (kemi ulur taksimin për përpunimin në vend, kemi ulur moshën e pensioneve për minatorët etj.). Mirëpo është e papranueshme që, në një sektor të stimuluar me politika fiskale, të privilegjuar, pasi ju është dhënë e drejta për të siguruar të ardhura nga pasuria kombëtare, të kemi nivele të larta informaliteti”, theksoi kreu i Financave publike.

Në vijim, Cani tha se në sektorin minerar problematike konsiderohet situate në disa aspekte që kanë të bëjnë me deklarimin e cilësisë së ulët të mineraleve të eksportuara me qëllim që të paguhet më pak rentë në doganë, faturat e shërbimeve nga jashtë që fryhen më shumë për të rritur shpenzimet, niveli i pagave të punonjësve, që deklarohen të ulta, për të paguar më pak tatim mbi të ardhurat; cmimi i deklaruar për eksport shumë më i ulët që sjell më pak tatimfitimi të deklaruar.

“Për të gjitha bizneset që do të shfaqin devijime nga normalja apo e logjikshmja, pra që shfaqin një sinjal rrisku të lartë, do të ketë kontrolle të imtësishme, që nga pasqyrat, deklaratat tatimore, inventarët dhe zbatimin e kushteve të punës për minatorët. Ne si Qeveri, por edhe popullata e zonës, shpresojmë dhe inkurajojmë (lehtësirat i kemi aplikuar!) sipërmarrjen e vendit për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Është në interesin tonë të përbashkët që ju të zhvilloheni edhe më tej; më shumë të ardhura për ju, më shumë punësim për zonën, më shumë të ardhura për buxhetin “, theksoi Cani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat