Gjoba, konfiskim për automjetet

Shqipëria

Gjoba, konfiskim për automjetet

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 08:03

Duket se Policia Rrugore e kryeqytetit kësaj here e ka seriozisht me arkëtimin e gjobave të prapambetura nga drejtuesit e automjeteve. Në vitet e kaluara, efektivët rrugorë kanë ndërmarrë fushata sezonale për vjeljen e masave administrative, por ato nuk kanë dhënë rezultat. Kështu, drejtoria e policisë së Qarkut Tiranë ka njoftuar të gjithë drejtuesit e automjeteve që të shkojnë vullnetarisht të shlyejnë gjobat ose në të kundërt mjeti i tyre do të konfiskohet. Edhe pse policia rrugore është pajisur me teknologjinë më të fundit për vjeljen e gjobave si “Skaut” ose “Radarë”, përsëri sipas drejtuesve të policisë, arkëtimi nuk është në nivele të kënaqshme.

Në këto kushte, policia rrugore e kryeqytetit jep ultimatumin e fundit për drejtuesit e automjeteve, që brenda datës 1 shtator të kenë shlyer të gjitha detyrimet administrative për shkeljet rrugore. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka njoftuar ditën e djeshme të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore e subjektet private që kanë në pronësi ose përdorim mjete rrugore, të marrin masa për likuidimin e gjobave të vendosura nga shërbimet e policisë, për shkelje të legjislacionit rrugor.

Duke filluar nga data 1 shtator 2015, shërbimet e policisë rrugore do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshëm për pagesën e gjobave. Për mjetet që do të rezultojnë me 1 gjobë, të cilës i ka kaluar afati 30-ditor i arkëtimit, do të bëhet bllokimi administrativ, deri në arkëtimin e tyre. Gjithashtu, për rastet kur për gjobën, brenda 3 muajve nuk shlyhen detyrimet, mjeti do të konfiskohet. Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore kërkon mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të mjeteve që të verifikojnë targat e mjeteve dhe të likuidojnë gjobat sipas afatit të parashikuar në ligj.

Ligji që konfiskon automjetet

Ligji parashikon qartë në të gjitha rastet kur drejtuesi i mjetit duhet të jetë i kujdesshëm për të shlyer detyrimet e prapambetura. Vetëm nëse kanë kaluar 3 muaj nga bllokimi i automjetit dhe pronari i tij nuk ka shlyer të gjitha detyrimet financiare , atëherë mjeti konfiskohet dhe më pas bëhet shitja në ankand. Neni 203 Vjelja e gjobave administrative (Ndryshuar me ligjin nr. 10 488, datë 5.12.2011, pika 2)

1. Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë, me përjashtim të rasteve kur ky Kod parashikon gjobë në vend. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

2. Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 20 për qind të vlerës.

3. Të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky Kod i kalojnë në masën 60 për qind organit që ka verifikuar shkeljen. Këto të ardhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimit në zbatim të këtij Kodi, kurse 40 për qind i kalojnë shtetit. Kalimi i të ardhurave në buxhet bëhet sa herë që derdhen para në bankë, duke respektuar raportin e lartpërmendur.

Mitat Tola: Nuk ka ultimatum për drejtuesit e mjeteve

Mitat Tola, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, thekson për “Shekullin” se, rregulli ka qenë shkruar në Kodin Rrugor, por tani po gjen zbatim të gjerë. Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, drejtuesit e automjeteve do të duhet të paguajnë të gjitha detyrimet para datës 1 shtator, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.

“Nuk është një ligj i ri i shkruar në Kodin Rrugor, por ka qenë aty edhe më parë, por tani drejtuesit e automjeteve nuk do të shpëtojnë nga zbatimi rigoroz. Nuk është ndonjë ultimatum që i bëhet qytetarëve, por të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se kush ka bërë shkelje të qarkullimit rrugor duhet të paguar. Kaq shumë e thjeshtë”! Për drejtorin e rrugores, nuk ka aspak vend për panik, sepse deri tani nuk është konfiskuar dhe nxjerrë në ankand asnjë automjet që nuk ka shlyer gjobat e papaguara.

“Në bazë të eksperiencës sime në policisë rrugore, nuk di ndonjë rast që të konfiskohet automjeti, sepse ka pasur gjoba të papaguara. Afati është i gjatë, 3 muaj dhe për mendimin tim, kjo kohë i mjafton një drejtues mjeti, që jo vetëm të shlyej detyrimet në shtet, por edhe të bëhet më i ndërgjegjshëm kur kryen shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, sqaron Mitat Tola.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat