Veliaj mban premtimin, shkarkon Florenc Hoxhën

Shqipëria

Veliaj mban premtimin, shkarkon Florenc Hoxhën

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 10:45

Ashtu siç kishte premtuar, një ditë pas marrjes së detyrës kryebashkiaku i ri i Tiranës, Erion Veliaj, firmos shkarkimin e kreut të INUV, Florenc Hoxhës.

Veliaj premtoi gjatë fushatës elektorale se, vendimi i parë që do të merrte me marrjen e Bashkisë ishte largimi i Florenc Hoxhës dhe zëvendësimi i tij. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se, Veliaj ia ka besuar këtë pozicion Skerdi Drenovës, i cili nga sot është drejtori i ri i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor.

Sipas burimeve, pas marrjes së detyrës nga kreu i ri i INUV do të kryhet një audit për të parë gjendjen, në të cilën ndodhet ky institucion. Skerdi Drenova është me profesion inxhinier dhe ka punuar disa vite në media. Prej kohësh ai është marrë me biznes dhe njihet për aftësitë e tij shumë të mira menaxhuese.

Një tjetër emërim është edhe ai i Arli Naska, i cili do të mbajë postin e drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Tiranë. Naska ka punuar si drejtues në disa institucione të rëndësishme dhe gjithashtu ka drejtuar disa degë bankash të nivelit të dytë në Shqipëri. Së fundi ai mbante pozicionin e administratorit në një kompanie private.

Gjatë fushatës, Veliaj premtoi se do hiqet doganat për produktet e vendit që prodhohen në rrethinat e Tiranës dhe se do largojë nga bashkia “gangsterët si Florenc Hoxha”.

"Nëse e marr bashkinë, Florenc Hoxha ikën i pari"

"Jo vetëm do të largohet nga detyra, por do të ndiqet penalisht për të gjithë dhunën, dhe i ftoj të gjithë qytetarët e prekur që të vijnë në gjyq kundër tij". Kjo është deklarata e Veliajt për kreun e INUV-it në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxhën, bërë më 21 maj të këtij viti, gjatë fushatës elektorale.

"Do ta largoj nga bashkia, nuk mund të rri në bashki me një njeri që rreh gratë, që gdhihet dy herë në javë në komisariatet e policisë dhe rreh njerëzit në rrugë sa herë që nuk i del ndeshja ashtu siç duhet. Nuk dua të punoj me këta njerëz, s’besoj më se sot mërzitet njeri për një rrugaç. Llumi do shkojë te llumi, ajka te ajka", u shpreh Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat