Basha: Krimi e korrupsioni po na kthejnë mbrapa

Shqipëria

Basha: Krimi e korrupsioni po na kthejnë mbrapa

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 11:14

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur në një takim Drejtorin e Politik të Ministrisë së Jashtme Austriake, Jan Kickert dhe Drejtorin për Ballkanin Perëndimor, Johan Sattler.

Basha ka deklaruar se me dy zyrtarët e lartë ka diskutuar për krimin, korrupsionin dhe dhunimin e votës së lirë, shqetësime të cilat po e kthejnë Shqipërinë mbrapa dhe zhbërja e standardeve demokratike rrezikon seriozisht të ardhmen e Shqipërisë.

“Njoha diplomatët e lartë austriakë me shkeljen e rëndë të standardeve në zgjedhjet e fundit, me blerjen masive të votave, me ushtrimin e presionit mbi zgjedhësit, me përfshirjen e administratës dhe institucioneve publike në skemën e trysnisë ndaj votuesve, me kandidimin e personave me të shkuar kriminale”, tha kreu i PS-së.
“Shqetësim i madh për vendin është edhe inkriminimi i administratës dhe i politikës deri në nivelin e Parlamentit”, tha Basha, i cili theksoi se pa çuar deri në fund dekriminalizimin për të cilën Partia Demokratike është e vendosur, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme Evropiane.

Gjithashtu, Basha ka informuar zyrtarët e lartë të vendit mik se keq qeverisja po sjell pasoja dramatike në ekonomi dhe po shkakton padrejtësi të vazhdueshme çka po nxit dhe numrin e lartë të bashkëqytetarëve që ikin nga vendi dhe kërkojnë azil në Evropë. “Ky eksod në rritje i shqiptarëve po merr përmasa shqetësuese duke vënë në rrezik lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në hapësirën Shengen, një e drejtë e fituar me shumë mund e përpjekje”, tha ai.

Në fund, kryetari i PD-së theksoi se krimi, korrupsioni dhe dhunimi i votës së lirë janë kthyer në pengesë dhe kërcënim të madh për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat