Ministri Tahiri: Lazarati ishte fatkeqësi dhe pabesi

Shqipëria

Ministri Tahiri: Lazarati ishte fatkeqësi dhe pabesi

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 16:32

Ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri është thirrur sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të raportuar mbi ngjarjen e fundit në Lazarat ku humbi jetën efektivi i Reneas, Ibrahim Basha. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, kreu i këtij komisioni, Spartak Braho deklaroi se kjo çështje është ende nën hetim dhe konsiderohet një sekret hetimor ndaj dhe shpjegimet e ministrit Tahiri sipas tij do jenë të kufizuara. Ndërkohë gjatë raportimit për Lazaratin, edhe vetë ministri Tahiri u shpreh se ka paraqitur një dokument në Komision që është konfidencial.

Ministri Tahiri solli në vëmendje aksionin e vitit të kaluar të ndërhyrjes së shtetit në Lazarat dhe tha se iu dha fund kriminalitetit masiv që atje gjallonte prej 2 dekadash; duke eliminuar prodhimin masiv të lëndës narkotike, që shkonte në miliona euro, e që këto para korruptonin edhe policinë.

Ai shpjegoi se edhe këtë vit forcat speciale ishin në shërbim sepse gati gjysma e të kërkuarve ishin ende në listë si persona në kërkim.

Lidhur me sulmin dhe vrasjen e efektivit të Reneas, Tahiri tha se ishte fatkeqësi dhe pabesi, dhe se për këtë rast nuk pati as informacion nga Shërbimi Informativ Shtetëror - SHISH.

"Ndonëse më shumë se gjysma e njerëzve që ishin në kërkim policor u arrestuan, kishte ende qytetarë të tjerë dhe vijonin të ishin në kërkim apo kishin konsumuar në ndërkohë dhe vepra të tjera penale, disa tyre janë arrestuar, disa vijonin të ishin në kërkim. Ngjarja që ndodhi është ajo që ju dini dhe jeni informuar nga media dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit. Unë më tej se aq nuk besoj se mund t’ju informoj, sepse përbën sekret hetimor për veprimet që janë kryer dhe vijojnë të kryhen. Ajo që ndodhi ishte fatkeqësi e rëndë për të gjithë, pasi humbja e një punonjësi policie të forcave Renea është një goditje e rëndë për sigurinë publike dhe shtetin në tërësi. Ishte një ngjarje që pa asnjë dyshim gjeti rrugëzgjidhjen e duhur duke arrestuar autorët dhe ata që organizuan sulmin ndaj forcave Renea, ishte pabesi e organizuar për të cilën policia nuk kishte informacion, po kështu nuk kishte informacion as nga Shërbimi Informativ", tha ministri Tahiri.

Ai shtoi se u morën masat për ta zgjidhur në mënyrën më të shpejtë të mundshme; ku u arrestuan dhe organizatorët dhe ata që bënin pjesë në grupin që goditën ndaj policisë.

Por opozita shprehu pakënaqësi lidhur me këtë raportim të ministrit Tahiri, duke thënë se ai bëri shou në komision.

Deputeti Flamur Noka u shpreh se “u mundua të thuhej diçka, po asgjë rreth asaj për të cilën ministri pati ardhur këtu”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat