Në Tiranë zhvillohet nesër konferenca e tetë ekonomike gjermano-shqiptare

Shqipëria

Në Tiranë zhvillohet nesër konferenca e tetë ekonomike gjermano-shqiptare

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 14:49

Në Tiranë nis nesër punimet konferenca e tetë ekonomike gjermano-shqiptare, në kuadër edhe të vizitës së Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel. Shqipëria, si një vend dinamik i ndodhur mes Ballkanit Perëndimor dhe pjesës lindore të Mesdheut, ofron potencial të lartë prodhimi, tregtie dhe shërbimesh.

Vendi është në një transformim të thellë politik dhe ekonomik dhe nga mesi i vitit 2014 ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Shqipëria, me fuqinë e saj punëtore të motivuar dhe të re në moshë, si dhe me një ambient tërheqës e modern biznesi, fton bizneset për investim dhe bashkëpunim ekonomik.

Konferenca e tetë ekonomike gjermano-shqiptare do të prezantojë mundësitë e investimeve dhe të tregtisë në vend. Ajo u ofron sipërmarrësve të interesuar, mundësinë për të zbuluar Shqipërinë, si një destinacion për investime dhe partner tregtar.

Falë përmirësimit të vazhdueshëm të lidhjeve të saj me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më interesante për një numër të madh sektorësh të ekonomisë. Ky aktivitet synon t’u ofrojë investitorëve, prodhuesve dhe furnitorëve, blerësve dhe shpërndarësve, një pasqyrë të mundësive për bashkëpunim dhe në të njëjtën kohë t’i vendosë ata në kontakt me partnerët kryesorë të industrisë dhe
politikës në Shqipëri.

Temat kryesore të konferencës

Infrastukturë dhe Energji: Shqipëria prodhon më shumë se 90 % të energjisë elektrike nga hidrocentralet dhe pjesën tjetër e siguron me anë të importit. Ka nevojë të shtohen dhe riparohen hidrocentralet, si dhe të zhvillohen sistemet plotësuese te prodhimit të energjisë, kryesisht energjia e erës dhe ajo diellore. Ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatik TAP bën që të mund të përballohet furnizimi me energji për blerësit e mëdhenj. Një tjetër sektor në rritje është ai i telekomunikacionit, i cili aktualisht mbulon pjesën më të madhe të investitimeve të huaja.

SME-të, Arsimi dhe Financimi: Popullsia shqiptare, me një moshë mesatare rreth 32 vieç, ku pjesa më e madhe flet më shumë se një gjuhë, dallohet për aftësi të lartë në fushën e shërbimeve. Kjo është vënë re nga kompanitë fqinje, të cilat kanë hapur zyra, call dhe service center për menaxhimin e klientëve. Këpucët dhe tekstilet janë produktet e dyta më të rëndësishme të eksportit, pas mineraleve. Kjo fushë ofron për kompanitë gjermane të prodhimit fason, së bashku me prodhimin e pjesëve të makinave, potencialin më të lartë. Qendrat turistike si Durrësi në detin Adriatik dhe Saranda në detin Jon, përveç zhvillimit cilësor të infrastrukturës së tyre, kanë nevojë sidomos për mbështetje në planifikimin urban dhe mjedisor, si dhe në trajnimin e fuqisë punëtore.

Konferenca organizohet në bashkëpunim me organizatat kryesore të ekonomisë gjermane dhe mbështetet nga Qeveritë e Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në kuadër të kësaj konference, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen mbi çështjet kryesore politike, mundësitë dhe mbështetjen ekonomike, si dhe të krijojnë kontakte me aktorë të rëndësishëm të politikës dhe biznesit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel i drejtohen me fjalime konferencës ekonomike në orën 17.00./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat