Bozdo: Sot u prezantua konkursi i farsës klienteliste

Shqipëria

Bozdo: Sot u prezantua konkursi i farsës klienteliste

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 16:07

Bashkia e Tiranës ka akuzuar sot kryeministrin, Edi Rama, si dhe kryetarin e ri të bashkisë, Erion Veliaj, se kanë marrë vendim për të shkatërruar sheshin “Nënë Tereza”, monument kulture.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo tha se qeveria bllokoi për dy vite projektet e bashkisë, hodhi në fushatë miliona euro për të marrë këtë bashki dhe sot çdo kush e ka të qartë se pse.

“Për të vazhduar betonizimin aty ku e la. Me një konkurs falso, Edi Rama prezantoi sot projektin e tij të betonizimit pa kthim të hyrjes së parkut të liqenit dhe sheshit “Nënë Tereza”. Të gjithë e mbajnë mend se si në kulmin e fushatës elektorale, Veliaj, premtoi se nuk do të lejonte asnjë ndërtim të ri komercial në Tiranë, se do të zgjeronte kufijtë e parkut të liqenit dhe se do të mbronte dhe promovonte trashëgiminë kulturore të Tiranës”, tha Bozdo.

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, deklaroi se konkursi për Parkun e Liqenit që u prezantua paraditen e së hënës nga kryeministri Edi Rama, është një “farsë klienteliste” që do të jetë në shërbim për betonizimin e mëtejshëm të Parkut

“ Pseudo-konkursi është një farse klienteliste që shërben vetëm për të kamufluar atë që Rama dhe zgjatimi i tij në Bashki, Veliaj tashmë kanë vendosur, goditjen përfundimtare për parkun dhe sheshin “Nënë Tereza””, tha Bozdo.

Nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit u bëri thirrje qytetarëve, shoqërisë civile dhe gazetarëve që të bashkohen për të kundërshtuar këtë projekt.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës pa dallim, shoqërisë civile dhe gazetarëve të lirë të bashkohen për të kundërshtuar me të gjithë forcat këtë pabesi ndaj Tiranës dhe banorëve të saj dhe për të detyruar Ramën të tërhiqet nga betonizimi korruptiv i sheshit “Nënë Tereza” dhe hyrjes në parkun e liqenit”, u shpreh Bozdo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat